PPS hap hetim të ri, “Trust”, 6 persona dyshohen për krim financiar, Janeva: Padi për ata që nuk e respektojnë PPS-në

28.02.2017 17:30

Tre persona fizikë dhe tre juridikë janë të dyshuarit e PPS-së në rastin e e ri me emrin “Trust”.....

Gjashtë personat akuzohet se kanë përfituar mbi 17 milionë euro në mënyrë të paligjshme. Procedura parahetimore për këtë lëndë për krim financiar është ngritur nga përmbajtja e tre audio-incizimeve nga bisedat e përgjuara, prej të cilave dy nuk janë publikuar në opinion, njoftojnë nga PPS-ja.

Prokurorja, Fatime Fetai, bëri të ditur se dokumentacioni i falsifikuar është dorëzuar për tenderin në lidhje me gërmimet në minierën “Suvudoll”.

I dyshuari i parë është drejtues i kompanisë “Transmet”, i akuzuari i dytë përfaqësues i SILEKS-it, ndërsa i dyshuari i tretë drejtues i një kompanie nga Studeniçani.

“I dyshuari i parë është udhëheqës në Ndërmarrjen “Transmet”, i dyshuari i dytë është udhëheqës në “Sileks Nemetali” nga Kratova, ndërkaq i treti është nga “Vato”. Tre personat, me vetëdije i kanë shkelur procedurat për prokurim publik. Të njëjtit kanë dorëzuar dokumentacion të falsifikuar për pronësi të mekanizimit. Ka pasur fatura dhe marrëveshje, sipas të cilave është treguar se është blerë makineria dhe janë bërë marrëveshje për “lizing”. Të dyshuar janë tre persona fizikë dhe tre juridikë”,- theksoi prokurorja speciale, Fatime Fetai.

Prokurorja, Katica Janeva, shfrytëzoi rastin për të treguar se disa institucione, por edhe funksionarë nuk e respektojnë institucion PPS dhe paralajmëroi se të gjithë ata që do ta shkelin ligjin do të ballafaqohen me padi penale.

“Disa funksionarë dhe drejtues të institucioneve nuk e respektojnë ligjin dhe institucionin e PPS-së, andaj dhe do t’i padisim. Për çdo shkelje të ligjit , shkelje ndaj meje dhe ekipit të PPS-së do të dorëzojmë padi dhe do të kërkojmë që të njëjtit të dënohen në bazë të ligjit”,- u shpreh prokurorja speciale, Katica Janeva.

Nga Prokuroria Publike Speciale gjithashtu njoftuan se e kanë zgjeruar hetimin për rastin "Titanik", në të cilin dyshohen ish-funksionarë të lartë të VMRO-DPMNE-së për parregullsi zgjedhore. Këta persona kanë qenë të dyshuar edhe në hetimin e mëparshëm, por tani këta ngarkohen edhe me  vepra tjera penale. (Sanije Duraku, TVM2)