Maqedoni
Greva në hekurudha vazhdon, punëtorët paralajmërojnë grevë urie
28.02.2017 17:42
Punonjësit e “Hekurudhave të Maqedonisë” paralajmërojnë radikalizim të protestave nëse nuk paguhet paga e muajit janar...

Ende nuk ka qarkullim as të trenave të udhëtarëve e as trenave të mallrave. Nga Sindikata paralajmërojnë grevë urie si një ndër hapat e tyre të ardhshëm për arsye se nuk shohin asnjë mënyrë tjetër për dalje nga kjo situatë.
“Ne kemi vendosur të mos shkojmë përpara qeverisë. Nga të punësuarit ka propozime për të filluar një grevë urie ose prej nesër të na bashkohen edhe familjet tona që të dëgjohet zëri ynë. Kërkesa jonë është e njohur, tani për tani askush nuk na ndihmon",- theksoi një sindikalist.
Nga Ministria e Transportit thonë se së shpejti do të gjejnë zgjidhje për problemin dhe se do të paguhet paga e janarit. Ministri Misajllovski thotë se qeveria çdo vit ndan mjete për shpenzimet operative të hekurudhës dhe për këtë vit “Hekurudhat e Maqedonisë” kanë 10 milionë euro në dispozicion.
"Për shkak të grevës, e cila është e paligjshme dhe e cila na ka sjell në një situatë të palakmueshme, nuk kishte asnjë mundësi për t’i paguar pagat e tyre. Unë shpresoj që së shpejti do të ketë një zgjidhje dhe se mjetet do të lëshohen. Sot me drejtorin ramë dakord për të nënshkruar aneks kontratë, me të cilën do të merren mjete shtesë në baza mujore”,- tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Vllado Misajllovski.
Transporti hekurudhor ka dy javë që ka mbetur i bllokuar.
GAZMEND KURTISHI
