Botë

Trump: mbështetje NATO-s, anëtarët duhet të paguajnë

01.03.2017 10:33

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur mbështetje të fuqishme për NATO-n...

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur mbështetje të fuqishme për NATO-n, por i ka përsëritur thirrjet e tij se anëtarët e aleancës duhet të bëjnë më tepër lidhur me kontributet e tyre financiare.

Këto komente të Trumpit u bënë mbrëmë vonë në fjalimin e tij të parë në seancën e përbashkët të Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe ato paraqesin shenjë të sigurimit për aleancën trans-atlantike, të cilën ai e ka kritikuar në të kaluarën.

“Ne fuqishëm e mbështesim NATO-n, një aleancë që është kalitur nëpërmjet lidhjeve të dy Luftërave Botërore, që e ka rrëzuar fashizmin dhe në Luftën e Ftohtë, që e mundi komunizmin”,- tha presidenti Trump, ndërsa fjalët e tij u ndoqën me duartrokitje të ligjvënësve.

“Ne presim që partnerët tanë, qofshin në NATO, në Lindjen e Mesme, ose në Paqësor, të marrin rol direkt dhe kuptimplotë në operacionet strategjike dhe ushtarake dhe ta paguajnë pjesën e tyre korrekte të çmimit”,- tha Trump.

Në fjalimin e Trumpit, i pari në Kongres që nga marrja e presidencës më 20 janar të këtij viti, kryesisht janë prekur shqetësimet e brendshme amerikane, siç janë kujdesi shëndetësor dhe përkeqësimi i rrugëve dhe urave.

Ai e filloi fjalimin duke i dënuar kërcënimet dhe vandalizmat aktualë kundër komunitetit hebrenj dhe të shtënat në Kanzas kundër dy imigrantëve nga India.