Maqedoni

Digjet çerdhja në Shuto Orizare, 300 fëmijë mbeten pa përkujdesje ditore

01.03.2017 12:08

Mbrëmë Çerdhja “8 prilli” në Komunën e Shuto Orizares është djegur tërësisht....

Mbi 300 fëmijë kanë ngelur pa çerdhe. Ndërsa në këtë çerdhe kanë qëndruar edhe fëmijët e pastrehë, gjithashtu pa pagesë e kanë pasur edhe fëmijët me raste sociale. 
 
Drejtoresha e Çerdhes “8 prilli”, Shengyle Shabani, theksoi se zjarri ka filluar në mesnatë, ndërsa ajo personalisht është njoftuar nga fqinjët. Është reaguar në kohë, por kjo nuk ka mjaftuar që zjarri të mos e shkrumbonte tërësisht ndërtesën dhe inventarin brenda saj. Shabani apeloi deri tek institucionet kompetente që sa më shpejt të ndërmerren masa që të ndërtohet një çerdhe e re. 
 
“Një numër i madh i fëmijëve kanë ngelur në shtëpi. Në çerdhen tonë për qëndrim ditor janë të regjistruar 197 fëmijë, por ne gjithashtu lejojmë që një pjesë të shfrytëzohet si qendër për fëmijët në rrugë ku qëndrojnë rreth 100 fëmijë dhe më shumë. D.m.th. më shumë se 300 fëmijë kanë ngelur pa çerdhe”,- theksoi drejtoresha e Çerdhes “8 prilli”, Shengyle Shabani.
 
Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale theksojnë se problemi do të zgjidhet deri të hënën, pasi janë të vetëdijshëm se ka prindër të punësuar që nuk ka kush të kujdeset për fëmijët e tyre. 
 
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm  me  kryeministrin, që të gjejmë një modus për të filluar menjëherë me ndërtimin e objektit. Do të shohim se ku do të marrim mjete. Ekipi nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka shkuar në vendngjarje për të parë hapësira alternative për të qëndruar fëmijët gjatë kësaj periudhe, sepse ka prindër të punësuar të cilët nuk mund të kujdesen për fëmijët gjatë ditës. Besoj që deri të hënën do të zgjidhet problemi i hapësirës alternative se ku do te vendosen fëmijët ose në shkollës ose në çerdhet që janë në Butel apo Çair”,- u shpreh ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi.
 
Ndërsa nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale theksojnë se çerdhja është renovuar para disa muajve. Ende nuk dihet nëse zjarrvënia ka qenë e qëllimshme apo ka ndodhur vetvetiu nga ndonjë arsye krejt të panjohur. Ministria edhe çerdhja presin rezultatet nga shërbimet policore.
 
REJHANE BUSHI-METAJ