Maqedoni

Protestuesit në Shkup sulmojnë gazetarët, reagon Shoqata e Gazetarëve dhe partitë

01.03.2017 12:46

Protesta e mbrëmshme e organizuar nga Iniciativa qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”...

Protesta e mbrëmshme e organizuar nga Iniciativa qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”, e afërt me VMRO-DPMNE-në, kanë eskaluar me dhunë, pasi një grup i protestuesve ka goditur me grusht gazetarin dhe kameramanin e portalit televiziv A1O.
 
Gazetari, Aleksandar Todevski, si dhe Vladimir Zhelçevski, janë dërguar në Qendrën Urgjente, si rrjedhojë e plagëve të marra nga ana e protestuesve derisa po filmonin bankënotat e shpërndara nga porta “Maqedonia”, të cilat në formë kompjuterike janë shtypur në dy gjuhë, në atë maqedonase dhe shqipe. Po ashtu ka pasur edhe konflikte verbale mes protestuesve dhe gazetarëve që punojnë në mediat kritike ndaj politikave të qeverisjes së VMRO-së. MPB ka bërë të ditur se menjëherë pas këtij incidenti janë arrestuar sulmuesit e gazetarëve. 
 
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikata e Gazetarëve ka kërkuar nga organet e sigurisë që të angazhohen në zbardhjen e tërësishme të sulmit ndaj gazetarëve.
 
ShGM ka fajësuar VMRO-DPMNE-në për incidentin, derisa nga Sindikata e Gazetarëve të Maqedonisë kanë theksuar se nuk guxojnë të mbeten të padënuar ata të cilët ushtrojnë dhunë ndaj punonjësve të mediave, duke shtuar se "dhuna është si rrjedhojë e gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale që gjithnjë e më shumë është e pranishme në rrjetet sociale dhe kjo dhunë verbale transferohet në dhunë fizike në rrugë". 
 
Sulmin ndaj gazetarëve e kanë dënuar ashpër dhe partitë politike. LSDM ka kërkuar nga Nikolla Gruevski dhe VMRO-DPMNE që urgjentisht të ndërpresin provokimet si dhe "nxitjen e sjelljes jocivilizuese, e cila sjellje të martën në mbrëmje kulmoi me ushtrimin e dhunës ndaj gazetarëve". 
 
Kanë reaguar edhe partitë shqiptare, BDI, BESA dhe “Aleanca për shqiptarët”.