Maqedoni
Diabeti, 20 mijë të vdekur në vit në RM
01.03.2017 15:29
20.000 njerëz në vit në Maqedoni vdesin nga komplikimet të cilat i shkakton diabeti....

Drejtori i Spitalit "Filipi i Dytë", Zhan Mitrev, pohon se ka rritje të vazhdueshme të numrit të të sëmurëve nga diabeti. Sëmundja komplikon dhe ndërhyrjet në zemër, duke i kthyer operacionet e këtyre pacientëve në operacione të vështira.
“Në numrin e përgjithshëm të pacientëve që shtrohen tek ne, rreth 70 për qind janë me diabet. Diabeti prish organizmin dhe ka komplikime në tërë trupin, duke filluar nga humbja e shikimit, funksionin e veshkave, imunitetin, prirjen ndaj infeksioneve të ndryshme... Diabeti është shkaku kryesor i vdekjeve tek pacientët me sëmundje kardiovaskulare",- theksoi drejtori i Spitalit “Filipi i Dytë”, Zhan Mitrev.
Është shumë e rëndësishme mënyra e të ushqyerit, sepse gjithnjë e më shumë ballafaqohemi me ushqim të industrializuar, ushqim fabrike, që është shumë e ngarkuar me karbohidrate. Faktori trashëgimor dhe ushqimi i parregullt janë arsyet kryesore që sjellin deri tek sëmundja e diabetit.
GAZMEND REXHEPI
