Maqedoni
Apelet e komunitetit ndërkombëtar, Hani: Partitë t’i qasen me seriozitet situatës; Maleski: Investuan shumë, presin formimin e qeverisë
01.03.2017 15:55
Klasa politike në vend duhet t’i ketë kuptuar thirrjet e faktorit ndërkombëtar për nevojën e formimit pa humbur kohë të qeverisë...

Klasa politike në vend duhet t’i ketë kuptuar thirrjet e faktorit ndërkombëtar për nevojën e formimit pa humbur kohë të qeverisë dhe përkushtimin e tyre drejt integrimit në BE dhe NATO, vlerëson njohësi i rrethanave politike, Albert Hani. Vendin e presin reformat dhe zbatimi i tyre në praktikë, thotë ai.
“Apelet dhe mesazhet që na vijnë nga komuniteti ndërkombëtar, kryesisht nga organizatat lidhur me amerikanët dhe UE-në, qartë na tregojnë se kemi nevojë të përshpejtojmë procesin e formimit të qeverisë. Shteti ndodhet në një situatë të ndjeshme konfliktuoze dhe besoj se elita politike duhet ta kuptojë sensibilitetin e situatës dhe t’i qaset më me seriozitet, duke u munduar të krijojë kushte ose parakushte për siguri dhe paqe në shtet, por po ashtu duke u munduar që t’i qaset me seriozitet të madh reformave të cilat të gjithë ata u zotuan se do t’i implementojnë dhe do të na sjellin të mirën të gjithëve këtu në Maqedoni”,- deklaroi analisti politik, Albert Hani.
Bashkësia ndërkombëtare ka investuar mjaft për ta nxjerrë nga kriza politike Maqedoninë, prandaj vjen ky presion për ta përmbyllur procedurën demokratike me formimin e qeverisë, sqaron ish-diplomati, Denko Maleski.
“Bashkësia ndërkombëtare investoi shumë mund me diplomatët e saj në zgjidhjen e krizës së thellë e cila kaploi Maqedoninë. U shkrua raporti i Pribesë, u organizuan zgjedhjet dhe tani pritet nga politikanët maqedonas që ta përmbyllin këtë procedurë deri në fund, pra deri në formimin e qeverisë, sepse ata po e vërejnë se në atë rrugë ka pengesa në kuptimin se partitë dhe udhëheqësit e tyre po e vendosin interesin e tyre para procedurave demokratike, para interesit të shtetit. Ata intervenojnë në këtë mënyrë dhe bëjnë presion që të përmbyllet procesi demokratik zgjedhor me zgjedhjen e një qeverie të re. Kjo është kaq e thjeshtë, por te ne gjithçka po komlikohet në interes të ruajtjes apo rrëmbimit të pozicioneve në pushtetit”,- deklaroi ish-diplomati, Denko Maleski.
Thirrja e komunitetit ndërkombëtar nuk i dedikohet vetëm klasës politike, por edhe vetë qytetarëve në mënyrë që mos bien pre e provokimeve, thotë Hani, ndërkaq, sipas Maleskit, për fat të keq vendi akoma ka nevojë për leksione që kanë të bëjnë me procedurat demokratike.
NAIM RAMADANI
