Botë
12 ditë protesta në Shqipëri, Basha: Nuk ka vetting me kriminelë në pushtet; Rama: PD ktheu drejtësinë në treg
01.03.2017 16:08
Situata politike vijon të mbetet e tensionuar në Shqipëri, teksa në ditën e 12 të protestës kryedemokrati nuk heq dorë nga kërkësat për qeveri teknike...

Sot ai ka dalë me një propozim të ri: krijimin e një xhandarmërie për të marrë nën konroll situatën e kanabisit dhe të rendit në përgjithësi.
“Vetting me kriminelët në pushtet nuk ka! Vetting me narkotrafikantët në pushtet nuk ka! Vettingu i vërtetë, drejtësia e vërtetë do të vijë vetëm kur të jetë hapur rruga për zgjedhje vërtet të lira dhe të ndershme për demokraci të vërtetë. Në këtë republikë të re, kontrolli i lartë i shtetit, Prokuroria, Avokati i Popullit, komisionet hetimore parlamentare do të jenë të gjitha ekskluzivisht nën kontrollin e opozitës”,- tha kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Ndërkohë, nga Shkodra, ku u prit me protesta, kryeministri, Edi Rama, foli për domosdoshmërinë e miratimit të vettingut, duke përmendur se ka gjykata që japin vendime mjaft qesharake.
“Vettingu nuk është një çështje politike, nuk është as çështje partiake, nuk është një çështje interesash të pjesshme, por është një çështje e një interesi të madh kombëtar. Këta mjeshtër që prej 20 e ca vitesh e kthyen drejtësinë në tregun më të madh në këtë vend. Duhet të zhduken nga rruga e këtij populli dhe nga ajo e sipërmarrësve të këtij vendi”,- theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ndërkohë, ambasadorët e huaj gjatë takimeve me përfaqësues të politikës kanë paralajmaëruar se zgjedhjet e lira janë mjaft të rëndësishme për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
LULJETA NDOKA
