Botë

Trump mban fjalim para kombit: ShBA-të nuk do bëhen strehë për terroristët

01.03.2017 16:29

Presidenti, Donald Trump, mbajti fjalimin e tij të parë përpara të dyja dhomave të Kongresit...

Presidenti, Donald Trump, mbajti fjalimin e tij të parë përpara të dyja dhomave të Kongresit, ku bëri thirrje për reformimin e sistemit shëndetësor dhe për rigjallërimin e ekonomisë. Presidenti republikan foli për “një kapitull të ri në madhështinë amerikane”.  Në fjalën drejtuar kombit, Trump ishte i prerë se ShBA nuk do të bëhen strehë për ekstremistët.

“Nuk mund të lejojmë që ShBA-të të kthehen në vendin e shenjtë të ekstremistëve. Është detyrimi ynë të mbrojmë qytetarët amerikanë. Ne po marrim masa të forta për të mbrojtur vendin nga terrorizmi dhe islamizmi radikal. Kam udhëzuar Departamentin e Mbrojtjes të hartojë një strategji për shkatërrimin e “Shtetit Islamik”, një bandë që po vret të krishterë e myslimanë, burra, gra e fëmijë nga të gjitha fetë”,- deklaroi presidenti i ShBA-ve, Donald Trump.

LIGJET PËR EMIGRACIONIN, TRUMP: SYNOJMË MIRËQENIE PËR QYTETARËT TANË

Presidenti premtoi sërish se do të ndërtojë një mur përgjatë kufirit ShBA–Meksikë dhe se do të fillojë zbatimin e ligjeve të emigracionit.

“Duke përforcuar ligjet tona të emigracionit, do të rrisim rrogat e do të ulim papunësinë, do të kursejmë miliona dollarë dhe do ta bëjmë komunitetin tonë të sigurt për të gjithë. Ne duam që të gjithë amerikanët të kenë sukses, por kjo mund të bëhet duke rregulluar kaosin ligjor. Duhet të rikthejmë identitetin dhe sundimin e ligjit në kufijtë tanë. Për këtë arsye, shumë shpejt do të ngremë murin e madh në kufirin tonë jugor. Kur të përfundojë do jetë armë e suksesshme në luftën kundër drogës dhe armëve, sepse derisa ne flasim, dilerat e drogës dhe të armëve, kërcënojnë qytetarët tanë”,- u shpreh presidenti i ShBA-ve, Donald Trump.

TRUMP: ARMATËS I DUHEN MJETE QË AMERIKA TË JETË E SIGURTË

Presidenti Trump tha se po i dërgon Kongresit një projektbuxhet që përmban një nga rritjet më të mëdha në shpenzimet e mbrojtjes në historinë amerikane. Ai tha se “burrat dhe gratë e ushtrisë kanë nevojë për mjete për ta mbajtur Amerikën të sigurt dhe për mjetet e nevojshme për të parandaluar luftën. Por, në qoftë se atyre do t’u duhet të luftojnë, – tha ai, – ata duhet të luftojnë për të fituar”.

 

Trump rikonfirmoi mbështetjen amerikane për NATO-n, por sërish theksoi se anëtarët e Aleancës do të duhet të përmbushin detyrimet e tyre financiare ndaj organizatës.  (Gazmend Kurtishi, TVM2)