Formimi i qeverisë, Grubi: Brenda muajit, vendi me qeveri të re
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim shprehen optimistë se brenda muajit Maqedonia do të ketë qeveri të re....

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim shprehen optimistë se brenda muajit Maqedonia do të ketë qeveri të re, por pa zbuluar se a do të jenë apo jo ata pjesë e qeverisë së Zaevit.
Shefi i kabinetit të kryetarit të BDI-së, Artan Grubi, në emisionin “Argument” në TVM2 thotë se BDI dëshmoi se nuk është peng i asnjërës parti maqedonase, por të vetmin qëllim ka avancimin e proceseve me interes shqiptar.
“Dëshmuam që nuk jemi peng i VMRO–DPMNE-së, që nuk jemi peng i LSDM-së, dëshmuam që Ali Ahmeti dhe asnjë funksionarë i BDI-së nuk i është zënë bishti me derë dhe nuk mbahet peng nga partitë politike maqedonase në marrjen e vendimit më 29 janar, si dhe me dhënien e nënshkrimeve të premten e kaluar... Ne insistuam që çdo pikë e deklaratës së përbashkët shqiptare që të miratohet bashkë me shumë pika tjera të platformës tonë zgjedhore dhe në këtë mënyrë do të rikthehet besimi, jo duke qenë në qeveri apo në opozitë, por duke dhënë mbështetje bllanko Prokurorisë Speciale dhe institucioneve të vendit, Prokurorisë së Përgjithshme, gjykatave, institucioneve anti-korrupsion që ta hetojnë BDI-në prej në fillim deri në fund, që të dëshmohet pastërtia e trashëgimtarit të UÇK-së, BDI-së, para syve të qytetarit dhe të largohet çdo dilemë”,- tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
DEKLARATA E PARTIVE SHQIPTARE, GRUBI: U ARRIT PA NDËRHYRJE TË TIRANËS DHE PRISHTINËS
Sipas Grubit, nuk mbajnë pretendimet e VMRO-DPMNE-së se deklarata shqiptare, përfshirë gjuhën shqipe, synojnë ndarjen e Maqedonisë. Grubi thotë se deklarata është arritur në Shkup pa ndërhyrje të Tiranës dhe Prishtinës.
“Deklarata të cilën i referohen ata si platformë e partive politike shqiptare nuk është shkruar as në Tiranë e as në Prishtinë. Ajo është shkruar në Shkup, në mes të Shkupit. Ajo deklaratë rrjedh nga takimi i kryetarit Ahmeti me tre partitë pjesëmarrëse të “Aleancës për shqiptarët”, fatkeqësisht “Besa” dhe PDSh bojkotuan atë takim të përbashkët të partive parlamentare shqiptare. Pikërisht ai takim ishte burimi i deklaratës së përbashkët. Tirana dhe Prishtina nuk kanë pasur asnjë gisht në përpilimin e asaj platforme për arsye të ndershmërive që i përfshin ajo deklaratë”,- theksoi deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
Grubi, ndërkohë, ka akuzuar Lëvizjen “Besa” se njësoj si bojkotonte takimet në Shkup, tashmë bojkoton zbatimin e deklaratës së përbashkët të nënshkruar nga tre subjektet shqiptare. (Meral Ismaili, TVM2)
