Punësimi i kategorive të rrezikuara sociale, Qeveria me masa të reja subvencionuese

01.03.2017 17:26

Të gjithë të personat e papunë të kategorive të rrezikuara sociale...

Të gjithë të personat e papunë të kategorive të rrezikuara sociale dhe kompanitë që dëshirojnë të punësojnë persona të tillë, do të mund të aplikojnë për kompensim të kushtëzuar në të holla për punësimin e  subvencionuar të personave të kësaj kategorie.

Punëdhënësve do t'u ofrohen tre lloje përfitimesh. Subvencionim gjashtëmujor i pagës bruto për punësimin e personave të papunë të kategorisë  sociale, me obligimin e punëdhënësit t'i mbajë në punë edhe të paktën gjashtë muaj. Subvencionim gjashtëmujor i pagës neto për punëdhënësit të cilët do të punësojnë persona të papunë në rrezik social dhe lirim 60-mujor prej pagesës së kontributeve prej sigurimit të obligueshëm social, ose subvencionim gjashtëmujor i neto pagës për këtë kategori qytetarësh dhe lirim 36 -mujor prej pagesës së kontributeve, me obligim që punëtori të mbahet në punë 12 muaj shtesë.

“Personat e punësuar të cilët nuk kanë kualifikime do të marrin subvencione në shumë prej 14.900 denarë, ndërsa personat me shkallë më të lartë të arsimit dhe ata të cilët do të kryejnë detyra më komplekse, do të marrin subvencion prej 17.000 denarësh. Gjithashtu gjatë gjashtë muajve të parë punëdhënësit do t'i paguhen edhe nga 5.000 denarë në muaj për një person të punësuar, të dedikuara për mbulimin e shpenzimeve për trajnim dhe materiale”,- u shpreh ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi.

U promovua  edhe programi për vetëpunësim me kreditim përmes biznesit personal për të rinjtë deri në 29 vjeç. 

“Për kredikërkuesit do të ndahen nga 7 mijë euro, ndërsa për çdo vend të sapohapur  pune, përpos 3 mijë eurove bazë, do t’u ndahen nga një mijë euro shtesë. Do të financohen projekte deri në pesë vende pune, deri në 23 mijë euro. Afati  për kthimin e mjeteve është shtatë vite, gjegjësisht me grejs periudhë për 18 muaj dhe pagesën për 66 muaj. Me këtë program deri më tani janë regjistruar 476 subjekte juridike, ndërsa të punësuar janë 556 persona”,- deklaroi drejtoresha e Qendrës për Punësim, Sllobodanka Aleksovska.

Është promovuar gjithashtu edhe programi për kreditimin e subjekteve juridike për hapjen e vendeve të reja të punës. Me masën parashihet kompanitë të kreditohen me 3.000 euro për një person të punësuar, deri në 9.000 euro për tre persona të sapopunësuar.

Mjete shtesë deri në një mijë euro do të ndahen për punësimin e personave të cilët janë të papunë në bazë të tepricës teknologjike, falimentimit, likuidimit dhe që janë të papunë mbi tre vjet. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)