Maqedoni

Sulmi ndaj gazetarëve, ShGM: MPB t’i sigurojë gazetarët në terren

01.03.2017 17:33

Fella e gazetarëve në Maqedoni dënon ashpër sulmin e mbrëmshëm të gazetarëve të “A1-on”...

Fella e gazetarëve në Maqedoni dënon ashpër sulmin e mbrëmshëm të gazetarëve të “A1-on” që ndodhi gjatë kohës së protestës së organizuar nga Iniciativa Qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”.
 
Kryetari i ShGM-së, Naser Selmani, kërkoi nga Ministria e Brendshme angazhim më të madh të policisë teksa gazetarët raportojnë nga protestat në terren dhe zbardhin rastet në tërësi.  
 
”E luta ministrin, Agim Nuhiun, që të ftojë pjesëtarët e policisë dhe t’i përkujtojë për përgjegjësinë që kanë ata ndaj qytetarëve të Maqedonisë, por edhe ndaj gazetarëve, sepse ata janë të detyruar që gjatë protestave t’i mbrojnë dhe t’u sigurojnë  kushte normale për punë për gazetarët, sepse roli i policisë nuk është vetëm të sanksionojë njerëzit që shkelin ligjin, por njëkohësisht edhe që të parandalojnë kryerjen e veprave penale”,- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
 
Në të njëjtën vijë është edhe ministri i Punëve të Brendshme. Nuhiu ka dënuar ashpër sulmin e gazetarëve dhe ka premtuar se do të ndëshkohen të gjithë ata që do përdorin dhunë ndaj dikujt. MPB po punon në identifikimin e sulmuesve dhe se deri tani janë marrë në pyetje 14 persona për këtë rast.
 
“Do të sanksionohen të gjithë tentimet për prishjen e rendit dhe qetësisë publike. Apelojmë deri te të gjithë qytetarët e vendit që të përmbahen nga çdolloj i dhunës dhe shkeljes së rendit juridik dhe vlerave kushtetuese. Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë në një mënyrë demokratike, të tubohen në vendet publike dhe t’i shprehin qëndrimet e tyre, por Ligji për rendin dhe qetësinë publike duhet të respektohet”,- u shpreh ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu.
 
Dënime për sulmet ndaj gazetarëve kanë ardhur edhe nga politika dhe shoqatat e ndryshme që kërkojnë zbardhjen e rastit dhe lejim të gazetarëve të kryejnë pa pengesa detyrën e tyre.
 
Në shenjë revolte dhe në mbështetje të gazetarëve të sulmuar disa media, përfshirë edhe TVM-2, kanë vendosur të mos raportojnë sonte për protestat e Iniciativës Qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”.
 
REXHEP QAMILI