Maqedoni

Mogherini nis turin ballkanik, përpjekje për të qetësuar Ballkanin e trazuar

01.03.2017 17:55

Shefja e Diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, ka nisur nga Mali i Zi udhëtiminkatërditor në vendet e Ballkanit Perëndimor...

Edhe pse Komisioni i  Jashtëm i Parlamentit Europian e quan Malin e Zi një histori suksesi, në tetor vendi u trondit nga një përpjekje për puç, për të cilën Qeveria në Podgoricë fajësoi Shërbimet Sekrete Ruse. Vizita vazhdon në Bosnje-Hercegovinë, një vend që llogaritet si “shtet i dështuar” e që vuan ende pasojat e luftës. Vendi me 3,5 milionë banorë ka 150 ministra dhe 600 deputetë dhe një aparat politik që bllokon çdo lloj reforme dhe përparimi drejt BE-së.
 
Ndalesa e radhës të enjten pasdite është Maqedonia, që ka probleme të mëdha politike dhe etnike. BE dhe ShBA-të vazhdojnë të ripërsërisin se Maqedonia nuk ka kohë për të humbur dhe duhet shpejt të formojë qeverinë e re. Parlamenti Europian kërkon nga Maqedonia që të bëhen reforma të vërteta në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit. Njëkohësisht kritikohen pengesat që po u bëhen reformave në drejtësi.
 
Vizita vazhdon në Serbi, e cila po negocion me BE-në prej vitit 2014 për anëtarësim. Serbia është konsideruar gjatë si një nxënëse e mirë dhe kandidate serioze për anëtarësim në BE. Por, kohët e fundit janë acaruar sërish raportet me Kosovën dhe kjo ka ndikuar në dobësimin e shanseve të Serbisë për anëtarësim.
 
Pas Beogradit, Tirana do të jetë ndalesa e radhës, në një kohë kur Shqipëria është përfshirë nga një krizë që ashpërsohet gjithnjë e më tepër. Komisioni ka paralajmëruar në parim fillimin e negociatave për anëtarësim në fund të këtij viti. Kusht për këtë është reforma në drejtësi dhe heqja nga postet e gjykatësve dhe prokurorëve që kanë lidhje me krimin e organizuar. Në përgjithësi, Shqipëria është në rrugën e mirë, por ende shumë larg anëtarësimit në BE.
 
Vizita përfundon me Kosovën, që ende nuk është kandidate për anëtarësim në BE. Kërkesa më e rëndësishme e Brukselit është miratimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Si shpërblim BE-ja ka përmendur liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës. Por, vendi ka një klimë të ashpërsuar brenda forcave politike në vend dhe raporte të acaruara me Serbinë, të cilën Prishtina e akuzon për pretendime aneksimi të pjesës veriore.
 
MERITA GASHI