Maqedoni
Presidenti nuk ia ndan mandatin Zaevit, Ivanov: Nuk ia jap mandatin, pengesë platforma shqiptare
01.03.2017 17:59
Presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov, nuk ia ndau mandatin kreut të LSDM-së, Zoran Zaev...

Presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov, nuk ia ndau mandatin kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, edhe pse ky i fundit siguroi shumicën parlamentare konform Kushtetutës dhe me kërkesë të vetë presidentit ia provoi mbështetjen me deponimin e nënshkrimeve të 67 deputetëve në Kuvendin Republikan.
Sipas Ivanovit, pengesë për ndarjen e mandatit është deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare, për të cilën Zaev ka pranuar të negociojë.
“Për sa jam president i Republikës së Maqedonisë, nuk do t’i jap mandat as njeriut, as partisë që angazhohet ose në programin e saj ka platformë për rrënimin e suverenitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë së RM-së, pasi besoj thellë se këto janë vlera themelore me të cilat askush s’ka të drejtë të tregtojë dhe nuk mendoj të lëshoj pe”,- tha presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov.
Ivanov ka kërkuar nga Zaev dhe LSDM që ta hedhin poshtë dhe ta dënojnë platformën e përbashkët të partive shqiptare, e cila sipas Ivanov është platformë e huaj, e hartuar nga një shtet fqinj dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë.
“Kohë të gjatë prita që disa parti politike do të tregojnë shtetformësi dhe pjekuri, dhe publikisht do të refuzojnë të bisedojnë për një platformë të huaj paszgjedhore. Nga z. Zaev kërkova publikisht dhe zëshëm ta hedh poshtë dhe ta dënojë këtë platformë, pasi qytetarët maqedonas në zgjedhjet votuan për reformat dhe për plotësimin e obligimeve nga Marrëveshja e Përzhinës dhe jo për platformë paszgjedhore të një shteti tjetër”,- u shpreh presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov.
Ivanov nuk la pa akuzuar as bashkësinë ndërkombëtare, e cila, sipas tij, është dashur ta dënojë këtë platformë. Madje, ai ftoi qytetarët dhe institucionet që t’i dalin në mbrojtje shtetit unitar maqedonas.
“Presim që bashkësia ndërkombëtare ta dënojë qartë dhe publikisht këtë platformë, e cila paraqet përzierje të paskrupullt në punët e brendshme dhe ridefinim të karakterit unitar të shtetit tonë. Shumë mirë kujtohemi se si bashkësia ndërkombëtare dilte me qëndrime të ngjashme për raste të tilla në shtete të tjera në rajon. Për fat të keq, një dënim të tillë për rastin e Maqedonisë nuk kishte. Heshtja e tillë e zëshme na konfirmon se e ardhmja e Maqedonisë tani varet vetëm nga ne qytetarët dhe institucionet e saj”,- u shpreh presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov.
Dy ditë më parë, kreu i LSDM-së ia dorëzoi presidentit nënshkrimet e 67 deputetëve për t’i provuar mbështetjen e shumicës parlamentare. Neni 90 i Kushtetutës e obligon presidentin që mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend.
SHPËTIM NUREDINI
