Pranon humbjen në Irak, kreu i ISIS-it bën thirrje për sulme kamikaze

01.03.2017 19:52

Udhëheqësi i “Shtetit Islamik”, Abu Bakr al-Baghdadi....

Udhëheqësi i “Shtetit Islamik”, Abu Bakr al-Baghdadi, ka pranuar humbjen në Irak dhe ka urdhëruar militantët xhihadistë t’ia mbathin për të shpëtuar, ose të vetëvriten në sulme kamikaze.

Ideatori i terrorizmit ka lëshuar një deklaratë të quajtur “fjalimi i lamtumirës”, e cila është shpërndarë mes predikuesve të ISIS-it dhe klerikëve në disa pjesë të Irakut, që janë ende nën kontrollin e xhihadistëve.

Ai u ka bërë thirrje mbështetësve të ikin e të fshihen, ndërsa “luftëtarëve joarabë” të rikthehen në vendet e tyre dhe të hedhin veten në erë, sipas premtimit “72 gra në qiell”.

Vendndodhja e saktë e udhëheqësit të terrorizmit mbetet ende mister, pavarësisht se ka pasur raportime të vazhdueshme se ai ose është plagosur rëndë, ose është vrarë gjatë konfliktit.

Pentagoni deklaroi në dhjetor se besonte që shefi i ISIS-it të ishte ende gjallë, pavarësisht përpjekjeve nga koalicioni i udhëhequr prej Amerikës për ta vrarë.