Akuzat nga Franca, PE i heq imunitetin Le Penit

01.03.2017 20:05

Me 18 vota pro dhe vetëm 3 kundër, PE votoi për të hequr imunitetin e Marine Le Pen....

Me 18 vota pro dhe vetëm 3 kundër, PE votoi për të hequr imunitetin e Marine Le Pen, që shërbente si eurodeputete që nga 2004-ta, në mënyrë që të lejojnë prokurorët francezë të ndërmarrin hapa ligjore kundër udhëheqëses së të djathtës ekstreme.

Ajo akuzohet për publikimin e fotove me imazhe brutale në dhjetor të vitit 2015, si reagim ndaj një gazetari që krahasoi “Frontin Nacional” me “Shtetin Islamik”. Prokurori i komunës, Nanterre, në Paris hapi një hetim sipas ligjit francez, që ndalon shpërndarjen e imazheve të dhunshme apo atyre që nxisin terrorizmin.

Sipas ligjit francez, dënimi maksimal për shpërndarjen e imazheve të dhunshme është 3 vite burg dhe një gjobë prej 75 mijë eurosh.

Ekspertët thonë se kjo çështje ligjore ndaj Le Pen pritet të përfundojë shumë kohë pas zgjedhjeve presidenciale franceze, ku kryetarja e “Frontit Nacional” pritet që të arrijë në balotazh.