Maqedoni
Ahmeti: Deklarata e partive shqiptare u përpilua në Shkup
02.03.2017 12:39
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në një postim në facebook theksoi se “deklarata e partive shqiptare në asnjë mënyrë apo formë nuk cenon shtetin...

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në një postim në facebook theksoi se “deklarata e partive shqiptare në asnjë mënyrë apo formë nuk cenon shtetin, karakterin unitar e as që bën fjalë për federalizim apo ndarje, siç pretendon presidenti Ivanov”.
“Qysh para zgjedhjeve të vitit të kaluar, ftova partitë opozitare shqiptare që të bashkohen në mënyrë që mos t’i humbasin shqiptarët nga përçarja e madhe e votave. Kjo nuk ndodhi dhe shqiptarët humbën 9 mandate deputetësh në Kuvendin e Maqedonisë. Më pas, si fitues i zgjedhjeve dhe drejtues i partisë më të madhe shqiptare, kam ftuar partitë parlamentare shqiptare në takim të përbashkët në Shkup për të bashkërenduar agjendën tonë për rrumbullakim të Marrëveshjes së Ohrit dhe arritjen e barazisë. Në këtë takim në Shkup, harmonizuam qëndrimet rreth pritshmërive të shqiptarëve dhe në çdo prononcim timin publik kam thënë që Deklarata e përbashkët e partive parlamentare shqiptare të Maqedonisë është dakorduar dhe shkruar në Shkup, dhe për bazë ka programet zgjedhore të të gjithë garuesve shqiptarë në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Kjo deklaratë në asnjë mënyrë apo formë nuk e cenon shtetin, karakterin unitar e as që bën fjalë për federalizim apo ndarje”,- ka theksuar lideri i integristëve.
Ahmeti përkujton se partitë shqiptare nuk ishin shkas për krizën sistemore në vend dhe duke pasur parasysh këtë, ai fton partitë politike shqiptare që të përmbahen nga të shndërruarit të krizës sistemore dhe brendaetnike në një përplasje ndëretnike midis dy komuniteteve shumicë të këtij vendi.
“Gjithashtu, ftoj partitë politike maqedonase që të përmbahen në shprehjen e pakënaqësisë së tyre nga implikimi i elementit ndëretnik për arsye të ndjeshmërisë së shoqërisë sonë”,- ka theksuar Ahmeti, i cili fton qytetarët që të ruani gjakftohtësinë dhe mos të lejojnë që të bien pre e skenareve dashakeqe që kanë origjinë adresa të dyshimta për ne.
“Ky është një problem politik dhe partitë politike si dhe institucionet e vendit do të gjejnë zgjidhjen më të mirë për qytetarët, por, ndërkohë, ta besojmë bashkërisht të vërtetën e jo trillimin”,- ka thënë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
