Zhvillimi i barabartë rajonal në 2017-tën, 3 milionë euro për 60 projekte zhvillimore

02.03.2017 17:55

Programi i sivjetmë për zhvillim të barabartë rajonal....

Programi i sivjetmë për zhvillim të barabartë rajonal parashikon tre milionë euro për gjithsej 60 projekte nga 88 sa janë paraqitur gjithsej.

Këshilli për zhvillim të barabartë rajonal miratoi 19 projekte për zhvillim të rajoneve planore, 18 për zhvillim të fshatrave, 23 janë për zhvillim të rajoneve me nevoja specifike zhvillimore. Pjesa më e madhe nga projektet, 48, ose 75 për qind, kanë të bëjnë me projektimin ose realizimin e intervenimeve infrastrukturore.

“Prej vitit 2009, kur filloi programi për zhvillim të barabartë rajonal, deri tani janë financuar 560 projekte me gjithsej një miliardë denarë. Qëllimi ynë është që mjetet për zhvillim të rajoneve planore çdo vit të rriten në kuadër të buxhetit, por edhe nga fonde tjera ndërkombëtare, me çka efektet do të multiplikohen dhe do të implementohen intervenimeve më të mëdha strategjike”,- deklaroi ministrja e Vetadministrimit Lokal, Shiret Elezi.

“Avancimi i rajoneve planore është mundësi e shkëlqyer për përforcimin e konkurrencës dhe për rritje më të madhe të ekonomisë lokale, për krijimin e vendeve të reja të punës, përmirësimin e kushteve për arsim, nxitjen e frymës kulturore dhe rekreative, si dhe për sigurimin e standardit më të mirë për jetë”,- tha zëvendëskryeministri, Vlladimir Peshevski.

 Sipas vendimit të Këshillit, më së shumti mjete buxhetore do të marrë rajoni më pak i zhvilluar, ai verilindor, 21,5 milionë denarë, ndërsa më së paku para janë planifikuar për rajonin më të zhvilluar, të Shkupit, 8,8 milionë denarë.

Për rajonin planor lindor janë projektuar 11,7 milionë denarë, për atë juglindor 13,8, për rajonin e Pellagonisë 14,8, për Pollogun 16,4, për atë jugperëndimor 17,6 dhe për rajonin planor të Vardarit 19,5 milionë denarë. (Gazmend Rexhepi, TVM2)