Ndërpritet greva, fillon qarkullimi hekurudhor
Personeli mekanik vazhdon bojkotin, kërkojnë që rroga të jepet e plotë, jo në dy pjesë...

Greva e të punësuarve në “Hekurudhat e Maqedonisë” është ndërprerë. Trenat e udhëtarëve dhe ato të mallrave janë vënë në qarkullim. Grevistët për TVM-2 thonë se kanë filluar punën pasi morën premtime nga menaxhmenti se pas marrjes së pjesës së parë të rrogës së janarit deri në fund të këtij muaji do t’u paguhet edhe gjysma tjetër e rrogës së janarit dhe ajo e muajit shkurt.
“Greva e të punësuarve në “Hekurudhat e Maqedonisë” është ndërprerë. Kemi rënë dakord me menaxhmentin e ndërmarrjes dhe dje morëm pjesën e parë të rrogës së janarit, ndërsa nga java e ardhshme na u tha se do të na jepet edhe gjysma tjetër e rrogës për këtë muaj. Gjithashtu kemi marrë premtime se deri në fund të këtij muaji do të na jepet në tërësi edhe rroga e muajit shkurt”,- deklaroi përfaqësuesi i të punësuarve, Gjoko Ilevski.
Por, me këtë vendim nuk pajtohen të punësuarit e personelit mekanik në këtë ndërmarrje.
TVM-2 filmoi bojkotin dhe pakënaqësinë e mbi 130 të punësuarve që nuk e kanë ndërmend të fillojnë punën derisa nuk arrijnë marrëveshje që rrogat t’i marrin përnjëherë.
“Ata deri dje kërkonin rrogat e të punësuarve të jepen përnjëherë, më së voni deri më datën 15 të muajit, e jo të njëjtat të merren si tani që kanë pranuar, në dy pjesë. Nuk e kemi të qartë përse ndryshuan mendje, pasi e morën gjysmën e parë të rrogës së janarit dhe na lanë vetëm, edhe pse ideja e grevës erdhi nga ata dhe më pas na përfshinë edhe ne”,- tha kryetari i Sindikatës së pavarur mekanike në HM, Dushko Çakarovski.
Personeli mekanik thonë se do të vazhdojnë me bojkotin e punës deri në plotësimin e kërkesave të tyre edhe pse në këtë betejë tani më kanë mbetur vetëm.
Greva dyjavore e të punësuarve në HM shkaktoi ndalesë të plotë të qarkullimit të trenave në vend. (Rexhep Qamili, TVM2)
