Sërish protesta për “Jugohromin”, punëtorët kërkojnë rihapjen e kombinatit
Punëtorët e Kombinatit Metalurgjik “Jugohrom” sërish protestuan në pikëpagesën në Zhelinë....

Punëtorët e Kombinatit Metalurgjik “Jugohrom” sërish protestuan në pikëpagesën në Zhelinë, duke bllokuar autostradën Tetovë –Shkup në të dyja drejtimet. Punëtorët kërkojnë rihapjen e kombinatit, sepse thonë se pa punë nuk sigurojnë dot ekzistencën e familjeve të tyre. Deri tani kanë marrë një rrogë, por nuk dinë si do të jetë fati i tyre që nga ky muaj.
“Kërkesat tona janë të kthehemi në punë, ato janë kërkesat tona, të hapet “Jugohromi” dhe të vazhdojmë punën. Shumë e vështirë është, me rrogë nuk jetohet, e pa rrogë shumë vështirë është. Me rrogë kur kemi marrë kemi qenë minus me fatura, vetëm rryma gjysmën e rrogës e han e ku mbeten të dhënat tjera”,- u shpreh një protestues i punësuar në “Jugohrom”.
“Unë kërkoj punë, se edhe dy vite duhet të dal në pension. Ndjehemi shumë keq, vështirë, pasi nuk kemi edhe rrymën ta paguajmë, s’kemi gjë me të paguajmë, fëmijët duhet t’i dërgojmë në shkollë, nuk kemi”,- tha një protestues i punësuar në “Jugohrom”.
“Kërkesa e jonë është të hapet fabrika. Deri tani kemi pasur, po këto muajt tutje më nuk ka. Dihet se në këtë shtet sa vështirë është të siguroni...”,- u shpreh një protestues i punësuar në “Jugohrom”.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Jugohromit”, Bajram Amiti, edhe një herë ka kërkuar rihapjen e kombinatit dhe paralelisht me të të vendosen filtrat. Pritet nesër një takim me kryeministrin, Emil Dimitriev, në të cilin do të vendoset fati i të punësuarve.
“Punëtorët deri më tani vazhdojnë me pushim të dhunshëm. Nesër kemi një takim me zotin Emil Dimitriev dhe nesër do të vuloset përfundimisht fati i punëtorëve, do të jenë në marrëdhënie punë apo do ndërpriten marrëdhëniet prej më 1 mars. Ne do vazhdojmë me presionet dhe nuk do rrimë duarkryq, sepse tani ndotje nuk ka. Kërkesa jonë është që prej marsit apo prillit të fillojmë me punë deri sa nuk ka ndotje dhe paralelisht gjatë punës të bëjmë edhe instalimin e filtrave”,- deklaroi kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Jugohromit”, Bajram Amiti.
Edhe pse mbyllja e “Jugohromit” ka ulur nivelin e ndotjes në Tetovë, sërisht ajri është i ndotur, mbi normat e lejuara. Nga Ministria e Ekologjisë deri tani kanë qenë të vendosur, se pa vendosur filtrat nuk mund të lejohet fillimi i punës. (Visar Sadiki, TVM2)
