VMRO, jo Platformës Shqiptare, Ahmeti: Deklarata u përpilua në Shkup
VMRO-DPMNE-ja ka premtuar se do ta mbështesë qeverinë e LSDM-së....

VMRO-DPMNE-ja ka premtuar se do ta mbështesë qeverinë e LSDM-së dhe do ta bëjnë Zaevin kryeministër, nëse ky i fundit heq tërësisht dorë nga Platforma shqiptare.
Sipas VMRO-DPMNE-së, realizimi i platformës nga Tirana do të thotë ridefinim i plotë i Republikës së Maqedonisë, shndërrimi i saj nga shteti multietnik në binacional, i cili në fazat e vona do të federalizohet, kantonizohet dhe ndahet.
"VMRO-DPMNE-ja nuk do të lejojë realizim të skenarit të tillë, i cili është në kundërshtim me interesat shtetërore dhe nacionale, dhe do të qëndrojë në anën e popullit, i cili në zgjedhje nuk votoi për platformën nga Tirana”,- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së, që thotë se do të mbrojë vullnetin e shumicës së votuesve që i dhanë besimin Koalicionit “Për Maqedoni për të mirë”.
Por, lideri i BDI-së, Ahmeti, ripërsërit se deklarata e partive shqiptare në asnjë mënyrë apo formë nuk cenon shtetin, karakterin unitar e as që bën fjalë për federalizim apo ndarje.
“Deklarata e përbashkët e partive parlamentare shqiptare të Maqedonisë është dakorduar dhe shkruar në Shkup, dhe për bazë ka programet zgjedhore të të gjithë garuesve shqiptarë në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Kjo deklaratë në asnjë mënyrë apo formë nuk e cenon shtetin, karakterin unitar, e as që bën fjalë për federalizim apo ndarje”,- ka theksuar Ahmeti.
Ai fton partitë shqiptarëve të përmbahen e të mos lejojnë që kriza sistemore dhe brendaetnike të kthehet në një përplasje ndëretnike.
Ai fton edhe partitë politike maqedonase që të përmbahen nga shprehja e pakënaqësisë dhe përfshirja në këtë pakënaqësi të elementit ndëretnik për shkak të ndjeshmërisë së shoqërisë.
Ahmeti fton edhe qytetarët të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos lejojnë të bien pre e skenareve dashakeqe, që kanë origjinë në adresa të dyshimta.
