Vendimi i presidentit, Bejli: Antidemokratik, Ivanov të rishqyrtojë vendimin
Ambasadori amerikan, Xhes Bejli, fton presidentin, Gjorge Ivanov....

Ambasadori amerikan, Xhes Bejli, fton presidentin, Gjorge Ivanov, që ta rishqyrtojë vendimin e tij për mosdhënie të mandatit liderit të LSDM-së, Zoran Zaev. Ambasadori amerikan deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë shprehur brengosje të thellë nga vendimi i djeshëm, pasi kjo është në kundërshtim me vlerat demokratike dhe sundimin e së drejtës.
“Dua të theksoj se ShBA-të ishin të zhgënjyer kur kuptuan se presidenti Ivanov refuzoi që përfaqësuesve që formuan shumicë parlamentare të mos ua japë mundësinë që ta formojnë qeverinë e re. Besojmë se kjo nuk është në pajtim me principet themelore demokratike dhe me sundimin e së drejtës, që paraqesin vlerat bazë të Organizatës veri-atlantike. Si partnerë strategjik të Maqedonisë, si miq dhe me respektimin e plotë të sovranitetit të vendit, ftojmë presidentit Ivanov që ta rishqyrtojë vendimin e tij”,- deklaroi ambasadori i ShBA-ve në Maqedoni, Xhes Bejli.
Njëkohësisht Bejli ka ftuar edhe vendet fqinje me Maqedoninë të tregojnë fuqi dhe të jenë konstruktive në momentet kaq të ndjeshme politike në vend.
Gjithashtu ai rikujtoi edhe qëndrimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, që fton liderët politikë pa asnjë vonesë ta formojë qeverinë e re në pajtim me kushtetutën dhe aspiratat e vendit për anëtarësim në BE dhe NATO.( Meral Ismaili, TVM2)
