"Bëhu korrekt për fëmijëri pa pengesa", përkrahje për personat me aftësi të kufizuara

02.03.2017 21:54

"Bëhu korrekt për fëmijëri pa pengesa" është motoja e fushatës...

"Bëhu korrekt  për fëmijëri pa pengesa" është motoja e fushatës që ka për qëllim të rrisë vetëdijen e qytetarëve për përkrahje më të madhe të personave me aftësi të kufizuara.

“Ne qytetarët me aftësi të kufizuara vazhdimisht themi se jemi të margjinalizuar. Fatkeqësisht, edhe të dhënat që janë realizuar nga UNICEF-i në 2014-n tregojnë se 70 për qind të bashkëqytetarëve tanë pa pengesa në zhvillim nuk dinë asgjë për Konventën e të drejtave të personave me pengesa në zhvillim”,- deklaroi Elena Koceska nga Lëvizja Qytetare “Polio Plus”.

“Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se çdo fëmijë mund të bëjë diçka të dobishme që ta gjejë veten në ndonjë sferë, secili është i lindur për diçka. Prandaj le të jemi të ndërgjegjshëm dhe humanë, të jemi korrektë për fëmijëri pa barriera”,- tha ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi.

“Këta persona në mënyrë të padrejtë ndjehen të përjashtuar, jo për shkak të gjendjes së tyre, pengesave ose paaftësisë për të bërë diçka, por për shkak se ne si shoqëri u vendosim pengesa dhe barriera të cilat nuk duhet të jenë këtu”,- u shpreh përfaqësuesja e Zyrës së UNICEF-it në Maqedoni, Elspet Erikson.

Fushata është pjesë e projektit rajonal të financuar nga BE-ja dhe UNICEF-i. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)