Gjykimi i Ramush Haradinajt, vendimi shtyhet për më 6 prill

02.03.2017 22:08

Gjykata e Apelit në Kolmar të Francës e shtyu sërish vendimin për Ramush Haradinajn....

Gjykata e Apelit në Kolmar të Francës e shtyu sërish vendimin për Ramush Haradinajn.

Edhe pse pritej që vendimi për kërkesën e Serbisë për ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës, të akuzuar nga Beogradi për krime lufte, të merrej sot, gjykata e shtyu seancën e radhës për më 6 prill.

Në seancën e fillimit të shkurtit, Gjykata franceze nuk doli me një përfundim mbi këtë rast, duke e lënë Haradinajn në masën e lirimit me kusht. Përpara kësaj, autoritetet serbe kishin depozituar materiale shtesë, çka u mendua si arsyeja e zvarritjeve në Kolmar.

Vetë Haradinaj duket i lodhur nga kjo situatë. Ai thotë se  ndalimi nuk kishte ndodhur fare, pasi fletëarrestet serbe nuk kanë më asnjë vlerë. Haradinaj ndalimin në Francë e cilëson si një mbajtje peng dhe pasojë e veprimeve politike të lidershipit të Serbisë.

Ekspertë të çështjeve penale nuk përjashtojnë mundësinë që procesi të zgjatet për shkak se organet kompetente të drejtësisë në Francë, nisur nga gjykatat, duhet të shqyrtojnë qëndrueshmërinë, vlefshmërinë dhe vërtetësinë e provave të paraqitura nga Serbia për këtë rast.