Reagon MPJ-ja ruse: Platforma shqiptare, sjell “Shqipërinë e madhe”
Rusia sërish është prononcuar për krizën në Maqedoni....

Rusia sërish është prononcuar për krizën në Maqedoni. Ministria e Punëve të Jashtme ruse thotë se thellimi i krizës politike në Maqedoni provokohet nga ndërhyrjet e ashpra nga jashtë në punët e brendshme të vendit.
“Maqedonisë, me ndihmën edhe të vendeve të NATO-s, po përpiqet t’i imponohet e ashtuquajtura “Platforma shqiptare”, e arritur në Tiranë, në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë. Kjo sjell “Shqipërinë e madhe”, duke e ilustruar me pretendime territoriale ndaj zonave të mëdha të Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë dhe Greqisë. Është veçanërisht shqetësuese se në këtë Platformë ishin të përfshirë edhe autoritetet e shpallura në mënyrë të njëanshme të Pavarësisë së Kosovës. Ne besojmë se kjo linjë është jashtëzakonisht e rrezikshme, qëllimi i së cilës është shkatërrimi i shtetit të Maqedonisë dhe destabilizimi i Ballkanit si tërësi”,- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme ruse.
Në reagim përkujtohet se zgjedhjet u fituan nga partia e Gruevskit, por Perëndimi dëshiron që nëpërmjet pakicës shqiptare të sjellë në pushtet opozitën dhe të pranojë kërkesat e shqiptarëve, duke çuar kështu në shkatërrimin e themeleve kushtetuese të vendit.
Është e nevojshme të ndalohen ndërhyrjet e huaja në punët e brendshme të Maqedonisë. Qytetarët e Maqedonisë duhet të respektohen dhe të vendosin vetë për fatin e tyre në përputhje me parimet themelore demokratike”,- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.
