Botë

Administrata e Trumpit: Kryeprokurori Sessions e ka takuar dy herë ambasadorin rus

03.03.2017 13:16

Prokurori i përgjithshëm, Jeff Sessions, ka takuar ambasadorin e Rusisë dy herë gjatë fushatës presidenciale....

Prokurori i përgjithshëm, Jeff Sessions, ka takuar ambasadorin e Rusisë dy herë gjatë fushatës presidenciale të Donald Trump vitin e kaluar, diçka për të cilën ai e mohoi gjatë seancës për konfirmimin e tij si prokuror i përgjithshëm.

Lajmi është konfirmuar nga Qeveria amerikane pas raportimit fillestar nga e përditshmja amerikane “Uashington post”, e cila citonte zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë. Në një nga takimet e zhvilluara në muajin shtator, Session dhe ambasadori rus, Sergei Kislyak, kanë zhvilluar një bisedë private në zyrën  e Senatorit në kulmin e debatit të inteligjencës amerikane që akuzonte Rusinë për një fushatë kibernetike me qëllim ndërhyrjen në garën presidenciale amerikane. Zbulimet e reja mund të nxisin Kongresin që të hetojë rolin e pretenduar të Rusisë në zgjedhjet 2016.

Për të njëjtën arsye, pra për kontaktet me ambasadorin rus dhe për fshehjen e tyre, këshilltari i parë i Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn, u shkarkua nga detyra pak kohë më parë.

Si prokuror i përgjithshëm, Sessions mbikëqyr Departamentin e Drejtësisë, përfshirë edhe Byronë Federale të Hetimeve, të cilat janë udhëheqëse të  hetimeve të ndërhyrjes ruse dhe çdo lidhje me bashkëpunëtorët e Trumpit. Një komision i kongresit amerikan ka vendosur hetimin nëpërmjet një komisioni dypartiak të ndikimit rus në zgjedhjet e vitit të kaluar. Sakaq, “House Intelligence” do të shqyrtojë kontaktet midis anëtarëve të konfirmuar të stafit të fushatës elektorale të presidentit Trump dhe Moskës.

FBI dhe Inteligjenca e Senatit gjithashtu janë duke hetuar për të zbuluar ndërhyrje të mundshme të Moskës gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar.