Greva në hekurudha, Kurunoski: Dëmet përmirësohen vetëm me punë
Pas arritjes së marrëveshjes me pjesën më të madhe të punëtorëve grevistë....
Pas arritjes së marrëveshjes me pjesën më të madhe të punëtorëve grevistë në hekurudhat e Maqedonisë, prej mbrëmë ka filluar qarkullimi i trenave. Tetë trena filluan punën menjëherë, 13 linja të tjera sot gjatë ditës.
Të punësuarit kanë marrë sot në llogaritë e tyre edhe 10 mijë denarët e ratës së dytë të pagës së janarit. Paga për muajin shkurt të paguhet deri në fund të marsit. U. d. drejtor i “Hekurudhave të Maqedonisë – Transporti”, Igor Kurunoski, thekoi se do të përqendrohen në konsolidimin financiar të kompanisë për të mos pasur në të ardhmen vonesa me pagat, që ishin arsyeja e grevës 12 ditore të të punësuarve.
“Nga ky moment të gjithë së bashku fillojmë maksimalisht të angazhohemi t'i përmbushim marrëveshjet me klientët tanë. Vetëm me punë mund të tejkalojmë atë që na ndodhi në dy javët e fundit dhe nuk duhet të lejojmë që në të ardhmen të kemi ndërprerje të tilla të gjata në qarkullimin hekurudhor, të cilat sjellin dëme të mëdha edhe për kompaninë tonë, në përgjithësi për Hekurudhat e Maqedonisë dhe ekonominë e Maqedonisë”,- deklaroi u. d. drejtor i HM-Transporti, Igor Kurunoski.
Po analizohen dëmet e shkaktuara gjatë këtyre dy javëve dhe Kurunoski thotë se vetëm me punë do të mund të mbulohen dëmet e të arrihen fitime me të cilat do mund të paguhen rrogat dhe shpenzimet e tjera. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
