Rasti “Trust”, Gjykata vendosi të hedh poshtë kërkesën e PPS-së për paraburgim

03.03.2017 16:14

Gjykata Themelore Shkupi 1 nuk e ka pranuar kërkesën e Gjykatës Speciale....

Gjykata Themelore Shkupi 1 nuk e ka pranuar kërkesën e Gjykatës Speciale për të vendosur masën paraburgim për pronarin e “Transmet” dhe Tv Nova, Sead Koçan. “Për  personin S. K., pas shqyrtimit dhe vlerësimit të fakteve dhe provave të parashtruara në kërkesën e prokurorisë për paraburgim, gjykatësi i procedurës paraprake vendosi që të mos e pranojë kërkesën e Prokurorisë Speciale”,- thuhet në kumtesën e Gjykatës.

Fillimisht, Prokuroria Speciale kërkoi masën e paraburgimit për dy persona fizikë, por më pas ndryshoi kërkesën për njërin nga të akuzuarit, duke kërkuar shqiptimin e masave të kujdesit.

Gjykata kishte përgjigje edhe për rastin e dytë .“Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të fakteve dhe provave nga ana e gjykatësit të procedurës paraprake, u vendos që kërkesa e prokurorisë të pranohet, duke vendosur masat: ndalesë për krijimin apo mbajtjen e kontakteve me persona të caktuar dhe ndalesë për të ndërmarrë aktivitete që ndërlidhen me veprën kriminale”,- qëndron në kumtesën e Gjykatës. Në rastin “Trust”, Prokuroria Speciale shpalosi dyshimet për veprime të jashtëligjshme dhe falsifikim të dokumenteve, nëpërmjet të cilave është bërë e mundur që të fitohen tenderë në vlerë prej 1 miliardë e 60 milionë denarë.

Për rastin e parë, palët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë në afat prej 24 orëve, ndërsa në lidhje me vendimin e dytë palët mund të parashtrojnë ankesë brenda tre ditëve.