ShGM: dënojmë fushatën e frikësimit të gazetarëve
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dënon fushatën e frikësimit dhe të fyerjes së gazetarëve që ditëve të fundit në Shkup...

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dënon fushatën e frikësimit dhe të fyerjes së gazetarëve që ditëve të fundit në Shkup e zbatojnë njerëz të panjohur të nxitur nga deklaratat luftënxitëse të kryetarit të VMRO-DPMNE-së, i cili ftoi maqedonasit etnikë të pengojnë opozitën në formimin e qeverisë me partitë shqiptare.
Përpjekjet e Gruevskit për të instrumentalizuar të rinjtë në kryerjen e punëve të pista janë qyqare. Ato i vënë në rrezik të rinjtë dhe familjet e tyre për interesa politike.
Provokimi primitiv ndaj gazetarit, Borjan Jovanovski, të cilin persona të panjohur e pështynë në restorant dhe shqetësimi i gazetarit, Branko Triçkovski, në shtëpinë e tij, është sulm i drejtpërdrejtë ndaj fjalës së lirë dhe është e paimagjinushme në shekullin XXI të sulmohet dikush pse shpreh mendimin e tij të lirë.
Kjo fushatë e turpshme ka për qëllim të frikësojë dhe heshtë gazetarët dhe qytetarët e zakonshëm që mendojnë ndryshe nga pushteti. Provokimet e ngjashme mund të eskalojnë në dhunë e pasoja të paparashikueshme.
Ftojmë Gruevskin të pushojë me nxitjen e dhunës. Apelojmë edhe politikanët e tjerë dhe figurat publike të përmbahen dhe të mos përdorin fjalor luftënxitës.
Gazetarët dhe mediat gjithashtu të raportojnë në mënyrë profesionale dhe të mos i hedhin “vaj zjarrit”.
Vetëm në këtë mënyrë mund të ndihmojnë në qetësimin e situatës.
