Maqedoni

Avokati i Popullit: dënime për involvimin e fëmijëve në protesta

03.03.2017 17:11

Avokati i Popullit ka dalë me apel që të ndërpritet involvimi i nxënësve dhe keqpërdorimi i fëmijëve në protestat e ditëve të fundit në vend...

Në kumtesën e sotme, Avokati i Popullit i paralajmëron të gjitha palët e involvuara se çdo keqpërdorim i fëmijëve i nënshtrohet sanksioneve dhe tha se do t’i analizojë ankesat e prindërve, dhe nëse vërtet dëshmohet se persona të caktuar, të punësuar në institucione arsimore, kanë qenë nxitës, për të gjithë do të kërkojë dënime më të ashpra, sepse bëhet fjalë për fëmijë të cilët sipas të gjitha rregulloreve ndërkombëtare dhe vendore gëzojnë mbrojtje të posaçme.

“Fëmijët në asnjë rast nuk duhet të jenë cak i manipulimeve dhe keqpërdorimeve, ndërsa shkollat duhet të jenë vende ku do të ushtrohet veprimtaria kryesore, procesi edukativo-arsimor”,- theksohet në kumtesë.

Duke u nisur nga interesi më i mirë i fëmijës, Avokati i Popullit apelon edhe deri te mësimdhënësit edhe deri te prindërit, të mos lejojnë involvim të nxënësve në çfarëdo qoftë tubime dhe protesta, ndërsa njëherit u bën thirrje institucioneve kompetente menjëherë të reagojnë për parandalimin e dukurive të tilla.

Reagimi i Avokatit të Popullit vjen pas njoftimeve në media se në disa shkolla ka pasur njoftime dhe nxitje të fëmijëve për pjesëmarrje në protesta.