Maqedoni
Mblidhet kryesia e BDI-së, Ahmeti: nga eskalimi i krizës nuk fiton askush
03.03.2017 17:26
Kryesia qendrore e BDI-së është mbledhur për të diskutuar vendimin e dy ditëve më parë të presidentit Ivanov...

Kryesia qendrore e BDI-së është mbledhur për të diskutuar vendimin e dy ditëve më parë të presidentit Ivanov për mosdhënien e mandatit për formimin e Qeverisë partive që kanë siguruar shumicën në Kuvend dhe për porositë e përfaqësues së lartë të BE-së, Federika Moghrinit, e cila kërkoi respektim të Kushtetutës dhe dhënien e mandatit.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se të gjithë duhet të jenë të përgjegjshëm të kontribuojnë në zgjidhjen e krizës dhe jo në thellimin e saj. Ahmeti nuk ka dashur të komentojë deklaratën e Zaevit se mes tyre nuk është diskutuar platforma shqiptare, por porosit për koka të ftohta, pasi nëse kriza eskalon, askush në fund nuk mund të quhet fitues.
“Nuk kam ardhur këtu për të komentuar platformën, nuk dua që temë kryesore tani të bëhen platformat, të bëhen prononcimet e politikave ditore, vendi duhet të dalë nga kriza. Duhet seriozisht të gjithë të angazhohen që kjo krizë sa më shpejt të përfundojë, sepse nuk është në dobi të askujt dhe të gjithë qytetarët presin që gjerat të marrin drejtim. Mendoj se deri sa kemi krizë politike duhet të zgjidhet kriza, nuk mendoj se do të fitojë ndonjë parti ose ndonjë personalitet në këtë vend në qoftë se e shndërron nga një krizë politike në një krizë me pasoja më të mëdha, qofshin ato njerëzore ose materiale. Duhet t’i dëgjoj të gjithë ekspertët e fushës, do të shohim se si do ta menaxhojmë më tutje situatën dhe kjo situatë sigurisht që kërkon mbështetje të fortë dhe guximshëm të veprojmë të gjitha partitë politike në qëllim më të mirë, që mos të eskalojë, pasi nuk fiton askush. Sigurisht që sot është ajo agjenda se si të gjejmë mënyrën më të mirë dhe më të lehtë për të dalë nga kjo situatë”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Edhe pse BDI ia ka dhënë nënshkrimet e deputetëve Zoran Zaevit për të marrë mandatin nga Ivanov, ende nuk dihet nëse do të jetë pjesë e qeverisë së socialdemokratëve.
Të gjitha opsionet janë ende në tryezën e integristëve, përfshirë edhe mbetjen në opozitë, por duke i përkrahur nga kuvendi vendimet që kanë të bëjnë me shqiptarët.
VISAR SADIKI
