Maqedoni
Ahmeti: “Jugohromi” të vendos filtrat ekologjik
03.03.2017 18:09
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor prezantoi sot rezultatet nga ndotja e ajrit në qytetin e Tetovës...

Ministri, Bashkim Ameti, theksoi se janë kryer dhe analiza kimike të përbërësve të grimcave PM10 dhe se rezultatet tregojnë se prania e arsenit dukshëm është ulur pas mbylljes së kombinatit të “Jugohromit”. Analiza është kryer nga Qendra Informuese e Resorit të Ministrisë.
“Në periudhën e nëntor të vitit 2016 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014, ulja apo zvogëlimi i prezencës së grimcave PM10 është diku rreth 35.1 për qind, gjithashtu dallimi i periudhës nëntor 2016 me periudhën nëntor 2015 është diku për 35 për qind më i vogël. Në vitin 2017 prezenca e grimcave PM10 është në qytetin e Tetovës, është për 54.9 për qind se sa periudha e njëjtë e janarit të vitit 2014, kur fabrika ka punuar me kapacitet të plotë. Koncentrimi mesatar i matur në janar të vitit 2017 është për 66 për qind më i vogël se e njëjta periudhë e vitit 2015, kur “Jugohromi” ka punuar me kapacitet të plotë. I kemi analizuar vetëm dy ditët e muajit mars, rezultatet janë marramendëse, ndotja në Tetovë, prezenca e grimcave PM10 është ulur në mënyrë drastike”,- deklaroi ministri i Ambientit, Bashkim Ameti.
Ameti insiston se “Jugohrom” duhet të vendosë filtrat ekologjik. Ai njëherit akuzon menaxhmentin e “Jugohromit” për mosvullnetin e tyre që të punojnë në kuadër të ligjit.
“Qëndrimi ynë dhe ligji pozitiv i RM-së janë të qarta, se askush nuk mund të punojë pa vendosje të filtrave. Në këtë drejtim ne jemi seriozisht të brengosur, sepse menaxhmenti i “Jugohromit” nuk po jep shenja të vullnetit të mirë për vendosjen e filtrave edhe përskaj afateve që ne kemi dhënë dhe si pasojë punëtorët mbeten pa punë”,- tha ministri i Ambientit, Bashkim Ameti.
Sa i përket takimit të kryeministrit, Emil Dimitriev, me menaxhmentin e kombinatit të “Jugohromit”, Ameti thotë se nga këto takime presim që menaxhmenti i “Jugohromit” sa më shpejt të shfrytëzojë këtë afat që ne e kemi dhënë për vendosje të filtrave.
GAZMEND REXHEPI
