Maqedoni
LSDM: po keqpërdoren fëmijët për agjenda partiake; Zhernovski: keqpërdorimi i fëmijëve, çmenduri ; Avokati i Popullit: dënime për involvimin e fëmijëve në protesta
03.03.2017 18:28
LSDM ka reaguar ndaj thirrjeve të nxënësve për bojkotim të mësimit në kundërshtim të Ligjit për gjuhën shqipe...

Nga kjo parti paralajmërojnë se ata që keqpërdorin fëmijë dhe nxënësit për agjenda personale, partiake, kriminale, shumë shpejt do të përballen me ligjin.
“Thirrje të këtilla të nxënësve për bojkotim të mësimit për protesta partiake asnjëherë më të mos përsëriten. Ata që keqpërdorin fëmijët dhe nxënësit për agjenda personale, partiake, kriminale, shumë shpejt do të përballen me ligjin dhe do të përgjigjen. Është e patolerueshme të ftohen nxënësit të bojkotojnë mësimin që të jenë pjesë e protestave në të cilat nxitet dhe përhapet urrejtje etnike dhe nacionale, kjo është vepër penale”,- deklaroi Petar Atanasov nga LSDM.
Nga LSDM ftojnë udhëheqësitë e shkollave që t’i mbrojnë nxënësit që të mos lejojnë manipulimin e tyre dhe keqpërdorimin për qëllime partiake.
Pas njoftimeve të këtilla edhe në shkollat e komunës Qendër të Shkupit ka reaguar edhe kryetari i kësaj komune, Andrej Zhernovski.
Ai në Facebook ka shkruar: “deri ku mund të shkojë kjo çmenduri, kur edhe fëmijët i involvojnë dhe keqpërdorin për qëllime partiake-politike”.
Pas njoftimeve të këtilla dhe ankesave të prindërve ka reaguar edhe Avokati i Popullit, duke apeluar që të ndërpritet involvimi i nxënësve dhe keqpërdorimi i fëmijëve në protesta.
Në kumtesën e sotme, Avokati i Popullit i paralajmëron të gjitha palët e involvuara se çdo keqpërdorim i fëmijëve i nënshtrohet sanksioneve dhe tha se do t’i analizojë ankesat e prindërve, dhe nëse vërtet dëshmohet se persona të caktuar të punësuar në institucione arsimore kanë qenë nxitës, për të gjithë do të kërkojë dënime më të ashpra, sepse bëhet fjalë për fëmijë të cilët sipas të gjitha rregulloreve ndërkombëtare dhe vendore gëzojnë mbrojtje të posaçme.
“Fëmijët në asnjë rast nuk duhet të jenë cak i manipulimeve dhe keqpërdorimeve, ndërsa shkollat duhet të jenë vende ku do të ushtrohet veprimtaria kryesore, procesi edukativo-arsimor”,- theksohet në kumtesë.
Avokati i Popullit apelon edhe deri te mësimdhënësit dhe deri te prindërit të mos lejojnë involvim të nxënësve në çfarëdo qoftë tubime dhe protesta, ndërsa njëherit u bën thirrje institucioneve kompetente menjëherë të reagojnë për parandalimin e dukurive të tilla.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
