Maqedoni
Porositë e Mogerinit, Ramadani: politikanët ta kuptojnë seriozitetin e situatës
03.03.2017 18:37
Shefja e Diplomacisë evropiane, Frederika Mogerini, ngriti alarmin për gjendjen në të cilën ndodhet Maqedonia...

Shefja e Diplomacisë evropiane, Frederika Mogerini, ngriti alarmin për gjendjen në të cilën ndodhet Maqedonia, vlerëson kryetari i Këshillit Veri-atlantik, Ismet Ramadani.
Ai tha se klasa politike duhet ta ketë lexuar mirë porosinë e saj në mënyrë që vendi të mos vihet në lojë gjeopolitike për shkak të veprimeve të VMRO-DPMNE-së dhe porosive që vijnë nga Rusia. Vizita e Mogerinit përbën edhe dëshmi se BE mbështet rrugëtimin euroatlantik të Maqedonisë, thotë Ramadani.
“Ardhja dhe porosia e komisioneres Mogerini ishte edhe e fuqishme dhe shumë e qartë për politikanët këtu në Maqedoni, sidomos ishte e qartë për presidentin e shtetit, ku direkt kërkohet që ai ta kthejë vendimin e tij dhe ta japë mandatin për formimin e qeverisë. Ajo që është shumë me rëndësi, ajo ndezi alarmin në Maqedoni, se duhet kuptuar situata si shumë seriozisht, sepse Maqedonia në këtë mënyrë po vihet në një lojë gjeopolitike për shkak të veprimeve të VMRO-DPMNE-së, përkrahësve të tyre dhe porosive që po vijnë nga Ministria e jashtme e Rusisë. Kjo do të thotë se BE definitivisht do të angazhohet drejtpërdrejt që Maqedonisë edhe t’i shtrijë dorën për të mbajtur rrugëtimin euroatlantik, por edhe njëkohësisht paralajmëron edhe masat të cilat e detyrojnë që ashtu deklarative, në një mënyrë edhe të konkretizohet”,- tha kryetari i Këshillit Veri-atlantik në RM, Ismet Ramadani.
Ramadani nuk përjashton edhe masat konkrete të institucioneve europiane për të cilat thotë se i posedon për ta kthyer në rishqyrtim vendimin e tij Ivanov.
“Strukturat europiane apo faktori ndërkombëtar mund të gjejë mekanizma që ta detyrojë edhe një herë që ta kthejë këtë vendim, ose në një mënyrë t’i kthehet asaj që është e drejtë dhe reale, por presioni duhet të jetë shumë i saktë me forma dhe mekanizma të cilat do ta sjellin personalitetin e tij, por edhe si institucion në pozitë të detyrueshme për ta kthyer vendimin për t’i dhënë mandatin liderit të opozitës”,- theksoi kryetari i Këshillit Veri-Atlantik në RM, Ismet Ramadani.
Gjatë qëndrimit të saj në Shkup, zyrtarja e lartë e BE-së, Frederika Mogerini, deklaroi se “Bashkimi Europian dhe NATO-ja as që mund ta imagjinojnë vendimin e presidentit Ivanov për të mos ia ndarë mandatin kandidatit që ka siguruar shumicën parlamentare”. Ajo tha se kjo çështje duhet të zgjidhet madje këto ditë.
NAIM RAMADANI
