Maqedoni
Ahmeti: deklarata e partive shqiptare, pjesë e programeve partiake; Kodheli: reformat, kusht që dy vendet të ecin përpara
03.03.2017 18:49
Zhvillimet e fundit në Maqedoni dhe perspektiva euroatlantike e vendeve të rajonit ishte tema e takimit të sotëm në Strugë e liderit të BDI-së, Ali Ahmetit...

Zhvillimet e fundit në Maqedoni dhe perspektiva euroatlantike e vendeve të rajonit ishte tema e takimit të sotëm në Strugë e liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, me ministren shqiptare të Mbrojtjes, Mimi Kodhelin. Me këtë rast, Ahmeti edhe njëherë ka theksuar se deklarata e nënshkruar nga liderët e partive politike shqiptare buron nga platformat e këtyre partive dhe ajo nuk rrezikon askënd.
“Çështja e platformës, në thonjëza, do të thotë një deklaratë e partive politike dhe tani është shndërruar në platformë, mendoj që është një spekulim dhe keqpërdorim. Mirë është që opinioni mos të frikohet, mirë është që me opinionin të mos spekulohet. Ajo është një deklaratë e cila deklaratë buron prej platformave të partive politike në kuadër të Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë dhe asgjë të rrezikshme nuk ka”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ministrja Kodheli theksoi rëndësinë e reformave si në Shqipëri ashtu edhe në Maqedoni, që vendi të ecë drejt rrugës euroatlantike.
“Sa mirë i bën reforma dhe reformat jetës së brendshme politike, qoftë Shqipërisë, qoftë Maqedonisë, në rrugëtimin tonë të përbashkët euroatlantik. Bashkërisht kemi një angazhim të përbashkët, përgjithësisht vendet e Ballkanit, të ecim drejt rrugës europiane dhe kjo është në fakt një emërues sa i mirë, aq edhe domethënës për një të ardhme më të ndritur, më prosperuese dhe më të sigurt për ne dhe brezat që do të vijnë”,- tha ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli.
Gjatë takimit në Dibër, ndërkohë, me kryetarin e komunës, Ruzhdi Latën, Kodheli përsëriti se angazhimi i të dyja vendeve dhe i Ballkanit në përgjithësi është rruga europiane. Këto aspirata janë emërues i përbashkët edhe domethënës për një të ardhme më të ndritur, më prosperuese dhe më të sigurtë për ne dhe për brezat që do të vijnë, ka shtuar Kodheli.
MERAL ISMAILI
