Maqedoni

AShAM: dialogu – rrugëdalje nga kriza, çështjet etnike të zgjidhen pa kushtëzime

03.03.2017 18:58

AShAM shpreh brengosje të thellë për situatën politike në vend, sidomos pas stërzgjatjes së krizës dhe thellimit të tensioneve ndëretnike...

Në komunikatën me shkrim thuhet se pikërisht stërzgjatja e krizës ka ndikuar që në vend të qetësimit, proceset të shkojnë drejt komplikimit të situatës, thellimit të ndasive mes qytetarëve dhe të njëjtat të prodhojnë frikë se çfarë mund të sjellë dita e nesërme.
 
AShAM përsërit se sundimi i së drejtës dhe funksionimi i institucioneve është rrugëdalja e vetme nga kriza dhe për këtë përgjegjësi bartin partitë politike.
 
AShAM bën thirrje të ndërpriten të gjitha përpjekjet për nxitje të urrejtjes, armiqësisë, madje edhe të kërcënimeve për qërim hesapesh në baza nacionale, etnike apo politike.
 
Sipas AShAM-it, debatet për reformat prioritare, si çështjet etnike, duhet të zhvillohen brenda institucioneve të sistemit.
 
Përpjekjet për zgjidhjen e tyre në situatë kur kriza  ka arritur në piken e vlimit, në mënyrë plotësuese tensionojnë dhe politizojnë çështjet.   
 
“Pakoja e çështjeve nga sfera e marrëdhënieve ndëretnike duhet të zhvillohen në atmosferë demokratike, pa kushtëzime, përmes dialogut konstruktiv, tolerancës, transparencës dhe respektimit të ndërsjellë mes partive politike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë”,- thuhet nga AShAM. 
 
Për kushtetutshmërinë e secilit vendim ligjor të kësaj sfere, AShAM do të prononcohet atëherë kur vendimet do të jenë në shqyrtim publik.
 
AShAM pret që të gjitha subjektet politike dhe institucionet shtetërore të mbesin në vijën e përgjegjësisë politike, duke u përmbajtur nga çdolloj aktiviteti në drejtim të përkeqësimit të krizës politike.
 
Partitë politike janë zëri i sovranit dhe duhet t’i shërbejnë të njëjtit. Stabiliteti në vend mund të arrihet vetëm përmes dialogut.