Maqedoni

BDI:Deklarata e shqiptarëve mbështetet tek MO, në asnjë rresht nuk cënon Kushtetutën

04.03.2017 12:24

Kryesia e BDI-së, ka vendosur hapat e metejme pas vendimit të presidentit Ivanov për të mos mandatuar liderin e LSDM-së, duke përmendur si një nga arsyet ate që Ivanov e quan "platforma e një vendi të huaj"...

Kryesia Qëndrore e Bashkimit Demokratik për Integrim, si subjekt bashkëpërpilues i Deklaratës së përbashkët të partive parlamentare shqiptare të Maqedonisë, duke ndjekur me vëmendje situatën e krijuar pas prononcimit të z. Ivanov, rikonfirmon përkushtimin për plotësimin e pikave nga Deklarata e lartëpërmendur, thuhet ne vendimin e BDI-së.
 
Me këtë, rast, shfrytëzojmë mundësinë që të risqarojmë që "Deklarata paraqet një dokument të përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni, i përpiluar dhe e ideuar në Shkup, si një përmbledhje e programeve zgjedhore të të gjitha partive tona parlamentare dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet imponim nga asnjë faktor i jashtëm".
 
Duke marrë në konsideratë që kjo Deklaratë është në përputhje me vlerat evropiane sepse përforcon kohezionin ndëretnik, ndihmon përforcimin e demokracisë, sundimin e së drejtës dhe shtetin ligjor si dhe perspektivën EuroAtlantike të vendit tonë, ne konstatojmë që: "Deklarata e Përbashkët e partive Parlamentare Shqiptare është në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutën e vendit dhe si e tillë nuk cënon në asnjë mënyrë integritetin e vendit dhe nuk rrezikon karakterin unitar dhe rendin kushtetues të shtetit. Gjithashtu, asnjë rresht i vetëm nga kjo Deklaratë nuk cënon Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë" , thonë nga BDI.
 
"Partitë politike shqiptare dhe as Deklarata e tyre e përbashkët nuk ishin shkas për krizën sistemore, politike dhe institucionale në vend dhe duke patur këtë parasysh, ftojmë partitë politike që të përmbahën nga të shëndëruarit të krizës politike në një përplasje ndëretnike midis dy komuniteteve shumicë të këtij vendi. Prandaj, ne ftojmë z. Ivanov, që në përputhje me obligimet e tija kushtetuese si dhe me kërkesën e tij gjatë konsultimeve me të gjitha partitë parlamentare, t’ia ndan mandatin për formimin e qeverisë shumicës së re parlamentare të konfirmuar me nënshkrimet e 67 deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë. Njëkohësisht, ftojmë Ivanovin si dhe partitë politike në Maqedoni, të janë të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre në mënyrë që mos ta rrezikojnë të ardhmen e përbashkët të qytetarëve të Maqedonisë" ,thuhet në vendimin e mbledhjes së mbremshme të kryesisë së BDI-së.