Maqedoni

BDI pjesë e qeverisë reformatore, ftohet Ivanov të ndajë mandatin Zaevit

04.03.2017 14:51

Bashkimi Demokratik për Integrim konfirmon pjesëmarrje në qeverinë e re reformatore...

Informacioni u kumtua mbrëmë vonë pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë qëndrore të partisë. Zëdhënësi Bujar Osmani tha se vendimi reflekton vullnetin e popullit për të çuar proceset përpara, ndërkaq ftoi presidentin Gjorge Ivanov që t’i ndan mandatin liderit të LSDM-së Zoran Zaev.
 
“Vendimi I kryesisë qëndrore të BDI-së është që të reflekton vullnetin e shqipëtarëve të shprehur në zgjedhjet e 11 dhjetorit dhe të jetë pjesë e një qeverie në frymën e Marrëveshjes së Ohrit për të krijuar një shtet juridik dhe për të garantuar rrugën e integrimeve në NATO dhe në BE.……Ftojmë partitë politike që të përmbahen nga të shëndruarit të kësaj krize politike në përplasje ndëretnike të dy komuniteteve shumicë në vend. Ftojmë zotin Ivanov që në përputhje me obligimet e tija kushtetuese si dhe me kërkesën e tij që gjatë konsultimeve kishte me gjitha partitë parlamentare, t’i ndan mandatin për formimin e qeverisë shumicës së re parlamentare të konfirmuar me nënshkrimin e 67 deputetëve në kuvendin e Maqedonisë”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
 
Osmani nuk zbulon se a do të shkohet në formimin e qeverisë edhe në rast se Ivanov nuk ndan mandatin. Sipas tij këtë çështje do të duhet ‘ta rishikojnë partitë, ndërkohë që është shprehur edhe për mbajtjen e zgjedhjeve në afatin e caktuar me ligj. Ai edhe një herë ritheksoi se deklarata e partive shqiptare është në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe kushtetutën e vendit dhe në asnjë moment nuk cënon karakterin unitar të shtetit.
 
“Deklarata paraqet një dokument të përbashkët I partivë politike shqiptare në Maqedoni, I idejuar dhe hartuar në Shkup si një përmbledhje e programeve zgjedhore të të gjitha partive tona parlamentare dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet imponim nga jashtë. Ne konstatojmë që deklarata e përbashkët e partive parlamentare shqiptare është në përputhje me marrëveshjen e Ohrit dhe kushtetutën e vendit dhe si e tillë në asnjë mënyrë nuk cënon integritetit territorial apo nuk rrezikon karakterin unitar të shtetit”, shtoi Osmani.
 
Kryesia e BDI-së është dakorduar që të kërkohet hetim i plotë i gjithë veprimtarisë të BDI-së nga formimi deri më sot me monitorim ndërkombëtarë.
 
MERALE ISMAILI