Maqedoni
Vendimi i BDI-së për pjesmarrje në qeveri të re, LSDM-ja pret ndërrim të qetë të pushtetit
04.03.2017 16:39
Pas vendimit të BDI-së për pjesëmarrje në Qeverinë e re me LSDM-në, nga LSDM deklarojnë se hapi i ardhshëm është transferimi i shpejtë dhe i qetë i pushtetit në Maqedoni...

Sipas tyre, nëse vullneti i shumicës së votuesve nuk respektohet tani, nuk do të respektohet as pas zgjedhjeve të reja.të cilat janë përpjekje që të prolongohet dhe thellohet kriza politike. Sipas Lsdm-së rreth 700 mijë qytetarë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare tashmë zgjodhën bashkim, ndryshime, drejtësi dhe jetë.
“Nikolla Gruevski dhe VMRO-DPMNE-ja duhet ta pranojë konceptin e një shoqërie për të gjithë, që e përforcon unitetin e shtetit dhe sjellë jetë kualitative për qytetarët, në vend të ndarjeve fiktive. Proceset demokratike kanë filluar dhe vullneti i shumicës së qytetarëve i përkthyer në 67 mandate deputetësh duhet sa më shpejtë të realizohet me formimin e Qeverisë së re dhe institucione demokratike të pavarura”, thonë nga LSDM-ja.
Nga VMRO-DPMNE-ja i bën thirrje LSDM¬së dhe Zoran Zaevit nëse janë të sigurt se pranimi i platformës gjithëshqiptare është e mirë për ardhmërinë e Maqedonisë dhe ajo do të mbështetej nga qytetarët, të pranojnë shpallje të zgjedhjeve të reja në të cilat do të votohej për platformën nga Tirana. Sipas VMRO- DPMNE-së LSDM¬ja është shantazhuar ta pranojë platformën dhe të punojë në gjetjen e mënyrës ajo të realizohet.
“Përderisa Zoran Zaev nuk është i sigurt në rejtingun dhe mbështetjen ndaj tij, vlerësojmë se duhet ta refuzojë platformën dhe të heqë dorë nga të gjithë elementet e saj të cilat çojnë drejtë formimit të shtetit binacional. Në këtë rast, VMRO-DPMNE do t’ia japë votat e saj LSDM-së për formimin e Qeverisë, siç e dëshiron ajo, por pa shantazhe dhe pranime të platformave që nxisin dëme afatgjata dhe e shndërrojnë Maqedoninë nga shtet multinacional në shtet binacional”, bëjnë me dije nga VMRO-DPMNE-ja.
Por nga Kabineti i presidentit njoftojnë se kreu i shtetit Gjorge ivanov nuk ka ndërmend të heqë dorë nga vendimi për mosdhënien e mandatit liderit të LSDM-së. Nga presidenca theksojnë se platforma shantazhon Republikën e Maqedonisë.
“Presidenti Ivanov nuk do të japë mandate secilit që bisedon për platforma të vendeve të tjera, me të cilat shantazhohet Republika e Maqedonisë. Presidenti vlerëson se me bisedimet për platforma pas-zgjedhore shkelet Kushtetuta e vendit. Qytetarët në zgjedhje votuan për reforma evropiane dhe jo për platforma pas-zgjedhore të vendeve të tjera”, thuhet nga Kabineti i presidentit Gjorge Ivanov.
VLORA LATIFI TOPOJANI
