Maqedoni
Hetimi i funksionarëve të BDI-së, kërkohen forma juridike me monitorim ndërkombëtarë
05.03.2017 17:52
Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet mekanizmave juridik pritet të bëjë hetimin...

Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet mekanizmave juridik pritet të bëjë hetimin e brendshëm të funksionarëve të partisë të paralajmëruar në mbledhjen e fundit të kryesisë qëndrore.
Nga partia e Ahmetit kanë deklaruar se hetimi do të bëhet me monitorim ndërkombëtarë të të gjithë funksionarëve nga viti 2002 e deri më sot me qëllim të zbardhjes së gjitha akuzave financiare apo politike.
“Besimi i qytetarëve është mbi të gjitha. Për të zbardhur të vërtetën e plotë dhe të vetme, BDI mbështet, kërkon dhe do të angazhohet për hulumtim të thellë të veprimtarisë së çdo funksionari nga viti 2002 gjer më sot dhe bartje të përgjegjësisë për çdo keqpërdorim eventual të besimit partiak dhe detyrës zyrtare. Ne do të insistojmë që të gjendet formë juridike, nëse duhet edhe të formohet institucion i veçantë me monitorim ndërkombëtar që do të hetojë veprimtarinë e BDI-së që nga themelimi i saj, deri më sot,” thonë nga BDI.
Nga partia e Ahmetit vlerësojnë se hetimi I anëtarësisë është i patjetërsueshëm për të mënjanuar gjitha shpifjet e vazhdueshme që i janë adresëuar partisë.
“Duke qenë të sigurt në veprimtarinë tonë, ky hap paraqet përkushtim të palëkundur për zbardhjen e së vërtetës dhe nismë reformuese për vijimin e qëndrueshëm të BDI-së si vlerë kombëtare, nëpërmjet largimit ligjor dhe institucional të të gjitha dyshimeve, por edhe shpifjeve të vazhdueshme tendencioze në adresë të BDI-së”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Vendimi i tillë i BDI-së erdhi me gjithë vendimin ditë më parë për të qenë pjesë e koalicionit qeverisës me LSDM-në e Zoran Zaevit.
MERALE ISMAILI
