Botë

Shefi i FBI-së i mohon akuzat: Obama nuk ka urdhëruar përgjime në fushatë

06.03.2017 12:58

Shefi i FBI-së, James Comey, i ka mohuar akuzat se ish-presidenti Obama ka urdhëruar përgjime për Donald Trump në kohën kur ky i fundit ishte ende kandidat në zgjedhjet presidenciale...

Sipas një informacioni të zbuluar në rrugë konfidenciale nga mediat amerikane, numri një i Byrosë Federale të Investigimit i ka kërkuar Departamentit të Drejtësisë që të hedhë poshtë nëpërmjet një qëndrimi zyrtar pretendimet e presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara, i cili është shprehur se paraardhësi i tij ia ka përgjuar telefonin.
 
Comey është shprehur se duhet të ketë patjetër një reagim, pasi akuzat e Trumpit krijojnë në mënyrë të gabuar dhe të pabazuar përshtypjen se FBI e ka shkelur ligjin.
 
Sipas shefit të Byrosë Federale, Donald Trump nuk ka asnjë provë me të cilat mund të provojë se telefoni i tij apo i anëtarëve të skuadrës së fushatës republikane është përgjuar më herët. Edhe pse akuzat e Trumpit kanë shkaktuar një debat të gjerë në Shtetet e Bashkuara, ish-presidenti Obama nuk ka preferuar që të komentojë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por zëdhënësi i tij ka deklaruar se ish-lideri i Shtëpisë së Bardhë nuk ka ndërhyrë asnjëherë në procese të pavarura hetimi që mund të jenë ndërmarrë nga Departamenti i Drejtësisë.
 
GAZMEND KURTISHI