Botë
Rumani, vazhdojnë protestat kundër qeverisë
06.03.2017 13:35
Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në protestën e mbrëmshme në kryeqytetin Bukuresht në Rumani kundër qeverisë...

Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në protestën e mbrëmshme në kryeqytetin Bukuresht në Rumani kundër qeverisë dhe në mbështetje të autoriteteve në luftën kundër korrupsionit në këtë vend.
Mbrëmë demonstruesit janë tubuar në Sheshin e Fitores, afër ndërtesave qeveritare, duke i valvitur flamujt rumunë dhe amerikanë. Ata kanë brohoritur “ne dëshirojmë drejtësi, e jo korrupsion”.
Mediat lokale kanë vlerësuar se në protestë kanë marrë pjesë 10 mijë persona. Ata, po ashtu, kanë shprehur mbështetje për Drejtorinë kombëtare anti-korrupsion, e cila ishte kritikuar nga Gjykata Supreme, pasi kishte filluar hetime ndaj Ministrisë së Drejtësisë.
Prej fundit të muajit janar të këtij viti, në Rumani janë mbajtur rregullisht protesta kundër korrupsionit. Protesta më masive ishte ajo e së shtunës, në të cilën vlerësohet se merrnin pjesë 330 mijë njerëz në të gjithë Rumaninë.
