Maqedoni
KE diskuton për Ballkanin perëndimor, Mogherini: Ka tensione, por kanë forcë t’i tejkalojnë
06.03.2017 16:38
Shefja e diplomacisë dhe e sigurisë evropiane, Federika Mogherini, vlerëson se Ballkani perëndimor...

Shefja e diplomacisë dhe e sigurisë evropiane, Federika Mogherini, vlerëson se Ballkani perëndimor ka fuqi të dalë mbi sfidat dhe krizat aktuale nëse merr një mbështetje të fuqishme në rrugën eurointegruese. Ballkani perëndimor është temë kryesore e takimit që nis sot pasdite në Këshillin e ministrave të jashtëm dhe të sigurisë të BE-së.
Mogherini ka deklaruar se Ballkani perëndimor ballafaqohet me tensione politike, kriza institucionale, vështirësi të mëdha, si në çështje sociale ashtu edhe ekonomike, në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, ajo ka shprehur bindjen se e ardhmja e Ballkanit do të jetë në Bashkimin Europian.
“Do t’i njoftoj të gjithë ministrat, më vonë gjatë javës edhe kryeministrat, për situatën e cila është përplot tensione, që kanë të bëjnë me sfida të brendshme, rajonale, por edhe globale. Por, ai është një rajon që ka kapacitet dhe forcë të reagojë e të ndalojë një gjë të tillë, me kusht që të ekzistojë një proces i besueshëm integrues nga ana e BE-së, kjo është tashmë puna jonë. Nga Këshilli i ministrave, por edhe nga liderët e BE-së, pres që të dalin me një mbështetje të qartë e të fuqishme për Ballkanin perëndimor, që të kenë një perspektivë të qartë eurointegruese”,- deklaroi përfaqëseusja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini.
Mogherini do të informojë ministrat edhe për bisedimet që ka pasur me përfaqësuesit e pushtetit dhe opozitës dhe ata të shoqërisë civile në të gjitha vendet që vizitoi gjatë turit të saj katërditor në Ballkanin perëndimor. Konkluzionet që do të miratohen nga ky Këshill do të jenë baza për raportin që liderët e 28 vendeve anëtare do ta miratojnë për Ballkanin perëndimor në Samitin më 9 dhe 10 mars në Bruksel.
GAZMEND KURTISHI
