Maqedoni

Dita Europiane e Logopedisë, studentët: Mungon trajtimi i fëmijëve shqiptarë

06.03.2017 17:00

Në Ditën Europiane të Logopedisë, studentët shqiptarë ngrisin zërin për mungesën e logopedëve që do të kujdeseshin për shëndetin e fëmijëve shqiptarë...

Ata thonë se mungon kuadri i logopedëve shqiptarë nëpër institucione shëndetësore dhe arsimore.
 
“Ka nevojë për logopedë nëpër institucione shëndetësore, për çdo 6 mijë banorë duhet të ketë 1 logoped, ndërsa në Shkup kemi dy logopedë, ku janë të punësuar nëpër institucione shqiptare. Unë jam nga Gostivari, nuk ka të punësuar logopedë shqiptarë as në Tetovë, Kërçovë dhe Kumanovë”- deklaroi logopedi i specializuar, Genc Taravari.
 
Logopedët apelojnë deri tek prindërit që të mos i fshehin diagnozat logopedike, sepse rrezikojnë ngecje më të madhe tek fëmijët.
 
“Prindërit gjithmonë tentojnë në bazë të mentalitetit t’i fshehin diagnozat e  fëmijëve të tyre, nuk i paraqesin në kohë, nuk shkojnë për t’u këshilluar me logopedë të ndryshëm dhe kjo vjen si një pasojë në ngecjen e fëmijëve në zhvillimin e mëtutjeshëm”,- tha logopedia, Nurjeta Rufati.
 
Shënimi i Ditës Europiane të Logopedisë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit u organizua me vetiniciativë të studentëve, me ç’rast ata shpërndanë fletushka për t’u njohur qytetarët se me çfarë merret logopedia, ndërsa për fëmijët ndanë lapsa dhe çokollata. 
 
REJHANE BUSHI-METAJ