Maqedoni
Skadon afati për shpalljen e zgjedhjeve, KShZ: Ne zbatojmë ligjet, kuvendi miraton vendimet
06.03.2017 17:29
Gjashtë marsi është dita e paraparë me ligj kur Kuvendi republikan duhej të shpallte zgjedhjet lokale...

Por, gjithçka është koklavitur në rrethana kur përbërja e re kuvendore ende nuk e ka zgjedhur kryeparlamentarin.
KShZ është e detyruar të respektojë normat ligjore, thotë anëtari i këtij organi, Subhi Jakupi.
Mungesa e aktit juridik nga kuvendi për shpalljen e zgjedhjeve ka vënë në ngërç ligjor këtë trup, i cili duhet të organizojë dhe zbatojë zgjedhjet lokale në vend, shprehet ai.
“Ne si KShZ jemi në ndjekje të këtyre të gjithë situatave dhe për organizimin e zgjedhjeve jemi në përgatitje të sipër, me të cilën ne duhet të ballafaqohemi pa marrë parasysh situatën politike. Ne si KShZ e bëjmë punën profesionale, por edhe ne punojmë në harmoni me Kodin Zgjedhor dhe normal që duhet respektuar normat të cilat dalin nga ajo, por pa mospasje të aktit juridik për shpalljen e zgjedhjeve edhe ne jemi në një ngërç me të cilin jemi në pritje”,- deklaroi anëtari i KShZ-së, Subhi Jakupi.
Jakupi sqaron se kuvendi mbetet i vetmi organ i cili mund që të ndërhyjë në shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve apo shkurtimin e afatit për shpalljen e tyre.
“Parlamenti është i vetmi organ i cili mund të bëjë ndryshimin qoftë të datës së mbajtjes së zgjedhjeve ose ndryshimin e shkurtimit të afateve për të respektuar muajin maj për mbajtjen e zgjedhjeve. Kjo çështje ngel vetëm në kompetencë të parlamentit dhe ai është organ kompetent për të gjithë këtë të cilën unë e potencova”,- theksoi anëtari i KShZ-së, Subhi Jakupi.
“Zgjedhjet për anëtarë të këshillit dhe për kryetarë të komunës mbahen çdo katër vite njëkohësisht në të gjitha komunat, në gjysmën e parë të muajit maj”,- qëndron në nenin 16, pika 1 në Kodin Zgjedhor.
“Aktin për shpalljen e zgjedhjeve e merr kryetari i Kuvendit dhe me të caktohet dita kur fillojnë të rrjedhin afatet për zbatimin e veprimeve zgjedhore dhe dita e mbajtjes së zgjedhjeve”,- qëndron në nenin 12, pika 1 në Kodin Zgjedhor.
Në mënyrë shtesë theksohet se nga dita e shpalljes deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve nuk mund të kalojnë më shumë se 90 ditë, as më pak se 70 ditë.
NAIM RAMADANI
