Maqedoni

Ministria e Ambientit ashpërson kriteret për lejet ekologjike

06.03.2017 17:37

Nga viti i ardhshëm lejet ekologjike për kompanitë do të jepen sipas standardeve europiane...

Kjo parashihet me Ligjin e ri për mbrojtjen e emisioneve industriale që po përgatitet nga Ministria e Ambientit në bashkëpunim me Agjencinë Ekologjike Austriake, ku tërësisht do të inkorporohet direktiva e BE-së. Ligji parasheh vendosjen e kritere më të rrepta për pajisjen me licenca ekologjike.
 
“Në disa sektore industriale do të ketë ndryshime të mëdha duke u përcaktuar kushte dhe rregulla më të rrepta për emisionet e lëshuara në ajër dhe ujë nga kapacitetet industriale. Sektori i energjetikës sigurisht se do të jetë i përfshirë në këtë proces dhe ata do të jenë të kufizuar me sasitë që do të lëshohen në ajër dhe ata këtë duhet plotësuar”,- deklaroi këshilltarja në Ministrinë e Ambientit Jetësor, Besa Tateshi.
 
Autoritetet e Ministrisë së Ambientit Jetësor deri tani kanë dhënë 120 leje A të integruara, ndërsa autoritetet komunale punojnë për dhënien e 20 lejeve B të integruara. 
 
Aktualisht “Feni” dhe “Makstil” punojnë konform ligjit aktual për misionet në ajër, ndërsa “Jugohrom” dhe “Rek -Bitolla” punojnë në plotësimin e kushteve ekologjike me të cilat nuk do lëshojnë më shumë emisione të ndotura në ajër, përveç sasive të lejuara. Me ndihmën e tuining projektit të mbështetur nga Ambasada Austriake, është paraparë dhe përforcim i kapaciteteve administrative të Ministrisë së Ambientit dhe të komunave për implementimin e ligjit të ri në të ardhmen.
 
“Duhet të bëhen investime të caktuara me qëllim që të respektohen rregullat më të ashpra që dalin nga kjo direktivë. Investimet do të jenë për dokumente teknike dhe për raportin që duhet patjetër ta bëjnë kapacitetet industriale, ndërsa administratës i mbetet të shpenzojnë vetëm për azhurnimin e lejeve që duhet të jenë në pajtim me direktivën”,- theksoi Klemens Kondrad nga Agjencia austriake për Ekologji.
 
Rregullativa e re nga java e ardhshme do të prezantohet para sektorit të biznesit. Projekti në fjalë kushton 900 mijë euro dhe i njëjti do të implementohet në 19 muajt e ardhshëm.  
 
REXHEP QAMILI