Maqedoni
Manifestim në Shkup kushtuar mësonjëtores së Korçës dhe themelimit të UNT-së
06.03.2017 17:51
Hapja e mësonjëtores së parë shqipe para 130 viteve në Korçë është një triumf i madh për popullin shqiptar...

Hapja e mësonjëtores së parë shqipe para 130 viteve në Korçë është një triumf i madh për popullin shqiptar, pasi që deri atëherë shqiptarët ishin të detyruar që mësimet t’i mbajnë fshehurazi.
Duke pasur në konsideratë peshën e 7 Marsit të vitit 1887 si dhe njëvjetorin e themelimit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, u organizua manifestim me temën: “Rrita e arsimit shqip në Shkup”. Për të arritur deri te ajo që shqiptarët të mësojnë të lirë gjuhën e tyre është dashur shumë mund dhe sakrificë.
Lufta për gjuhën dhe shkollën shqipe paraqet faqet më të ndritura, por edhe më të përgjakura të historisë kombëtare, theksuan mes tjerash të pranishmit në manifestim.
“Abetarja shqipe është shkruar me gjak e zjarr nga promethenjtë tanë dhe me kockat e tyre të shenjta është ndërtuar shkolla shqipe. Në krye të kësaj rruge fisnike u shquan shumë fytyra të ndritura, që sakrifikuan jetën për shkollën shqipe. Si Naum Vegjilharxhi, që na fali Abetaren e parë, dhe këtë e pagoi me kokë në burgun e patriarkanës greke. Gjithashtu, me kokë e pagoi veprimtarinë e tij humane edhe mësuesi i parë i shkollës shqipe, Pandeli Sotiri”,- deklaroi veterani i arsimit shqip, Avzi Mustafa.
“Për arritjen e këtyre ditëve që jemi sot është dashur shumë sakrificë nga brezat e mëparshëm, edhe për këtë ne i përkulemi me nderim ndaj motrave Qiriazi, ndaj të gjithë patriotëve, arsimdashësve shqiptarë që kanë bërë të mundur që gjuha shqipe të jetë gjuha që flasim të gjithë ne së bashku sot”,- theksoi ambasadori i Shqipërisë, Fatos Reka.
“Arsimi dhe kultura janë themelet fondamentale për zhvillimin intelektual të një shoqërie. Shkollat vazhdimisht janë zhvilluar nëpër rrethana dhe proceset e veta historiko-shoqërore, duke kaluar nëpër etapat më të errëta të shoqërisë për të mbërritur deri në ditët e sotme. Sfida jonë sot është garantimi i cilësisë në arsim, si një domosdoshmëri në kuadrin e integrimit dhe arritjeve të standardeve europiane”,- theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu.
“Ju e dini që objekti është paraparë që të ndërtohet në tre vitet e ardhshme, ne kemi bërë pjesën tonë, kemi bërë planin, detyrën projektuese me nevojat që duhet t’i ketë ky universitet. Është në procedurë për tenderim për idenë dhe shpresoj se ashtu siç është thënë, që nga shtatori të vihen themelet dhe për nja dy–tre vjet të kryhet”,- u shpreh rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani.
Manifestimi u përshkua nga një recital i shkruar nga studentët e Katedrës së Gjuhës Shqipe pranë Fakultetit Filologjik dhe disa pika muzikore nga orkestra kamertale e të rinjve të Tetovës, të udhëhequr nga dirigjentja, Agona Çupi.
ERSAN PAJAZITI
