Maqedoni
Maqedonia ende pa qeveri politike, LSDM: Ivanov shkel kushtetutën për të mbrojt krimin; VMRO: Platforma e Tiranës sjell qeveri të Tiranës
06.03.2017 18:09
Formimi i qeverisë së re dhe tejkalimi i krizës politike vazhdojnë të mbeten peng i vullnetit të mirë të presidentit Ivanov...

Shumica parlamentare prej 67 deputetësh ende nuk e ka marrë nismën për mbledhjen e Kuvendit, ku duhet të formohet Komisioni i zgjedhjeve dhe emërime si dhe të zgjidhet kryeparlamentari dhe zëvendësit e tij për të mbyllur kështu seancën konstituive dhe të hapë rrugën për formimin e qeverisë së re.
Shumica e re parapëlqen që të ndiqet praktika e deritanishme, prandaj kërkon nga presidenti që të rishqyrtojë vendimin dhe t’ia ndajë mandatin kandidatit të shumicës së re parlamentare.
LSDM konsideron se Kushtetuta siguron zgjidhje të qarta për të dalë nga kriza politike. Ajo kërkon nga Gjorge Ivanov që t’ia japë mandatin kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaevit, për formimin e qeverisë së re dhe të mos vendos mbi kushtetutë as veten dhe as kryetarin e VMRO-së, Nikolla Gruevskin.
“Është e palejueshme nga ana e Ivanovit, vetëm për të mbrojtur Gruevskin që të përgjigjet për punën e tij kriminale, të shkelë Kushtetutën dhe të zgjasë krizën politike në dëm të qytetarëve. Është e papranueshme dhe e palejueshme që Gruevski të nxisë ndarje në Maqedoni dhe të shfrytëzojë dhunën vetëm pse qytetarët zgjodhën ndryshimin, ndërsa ai humbi pushtetin”,– thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Edhe BDI, në mbledhjen e fundit të Kryesisë, kërkoi nga Ivanov që ta tërheq vendimin e tij antikushtetues, ndërsa deklaroi se BDI do të bëhet pjesë e shumicës kushtetuese parlamentare për të formuar qeverinë e re reformiste, kohezive dhe integruese të Maqedonisë.
Mirëpo VMRO DPMNE vazhdon ta quajë Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare si Platformë e Tiranës që rrezikon rendin kushtetues në Maqedoni.
“Në zgjedhjet e kaluara, qytetarët votuan për VMRO-DPMNE-në, jo për Platformën e Tiranës. Është e palejuar që Platforma e Tiranës të bëhet kusht për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Ajo qeveri do të ishte qeveri e Tiranës. Zoran Zaev dhe LSDM janë shantazhuar që të pranojnë Platformën dhe të formojnë Qeverinë e Tiranës. Zgjidhje e vetme dhe përgjigje për të gjitha çështjet do të mund të merren në zgjedhje të reja, të parakohshme, parlamentare, duke hedhur poshtë çdolloj platformash nga shtete të huaja”,– thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
Kundërshtimi i Ivanovit për t’ia ndarë mandatin shumicës së re parlamentare mban peng punën e Kuvendit, por edhe shpalljen e zgjedhjeve lokale. Partitë e shumicës nuk kanë përjashtuar mundësinë për zbatimin e një plani B, në një afat të arsyeshëm.
SHPËTIM NUREDINI
