Botë

Rusia zyrtarisht nën akuza, Moska dhe Kievi përballen në Gjykatën e Hagës

06.03.2017 18:17

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë është duke ndjekur përballjen e bujshme të Ukrainës dhe Rusisë...

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë është duke ndjekur përballjen e bujshme të Ukrainës dhe Rusisë, pasi Kievi akuzoi Moskën për aneksimin e paligjshëm të Krimesë dhe financimin e paligjshëm të rebelëve separatistë.

Ukraina kërkon kompensim për ato që i përshkruan si “akte terroriste të kryera në tokën e saj”. 

Kievi akuzon Moskën se ka shkelur konventat e Kombeve të Bashkuara kundër terrorizmit dhe diskriminimit, duke mbështetur grupet në lindje të Ukrainës dhe në gadishullin e Krimesë.

Rusia mohon se ka dërguar trupa apo mjete ushtarake në lindje të Ukrainës, pavarësisht se Ukraina dhe shtetet perëndimore kanë thënë se zotërojnë prova të pakontestueshme.

Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore kanë vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë. Ministria e Jashtme e Rusisë thotë se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për t’u mbrojtur më Gjykatën Ndërkombëtare.

Edhe pse vendimet e Gjykatës së Hagës janë përfundimtare dhe detyruese, gjykata nuk ka mjete për zbatimin e vendimit.