Maqedoni

Koreja e Veriut vazhdon provokimet, lëshon katër raketa balistike në ujërat e Japonisë

06.03.2017 19:27

Koreja e Veriut ka kërcënuar sërish stabilitetin në Lindjen e Largët...

Vendi  ka testuar katër raketa balistike që përshkuan rreth 1 mijë kilometra përpara se të preknin hapësirën ujore të Japonisë. Ekspertët ende vijojnë hetimet për të zbuluar llojin e raketës së testuar.
 
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe. Shefi i ekzekutivit japonez deklaroi se ka pasur edhe në të shkuarën veprime agresive nga Koreja e Veriut, por testimi i fundit përbën një tjetër nivel kërcënimi.
 
Sulmi është dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara, Uashingtoni shpreh papajtueshmëri me veprimin agresiv të Koresë së Veriut. Në bazë të rezolutave që janë miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Koresë së Veriut i është ndaluar rreptësisht testimi i armëve si dhe zhvillimi i programeve të tilla.
 
Megjithatë, ende nuk dihet nëse çështja do të ngrihet si problem në Këshillin e Sigurimit pranë OKB-së. ShBA ka paralajmëruar se me këto ritme, Koresë së Veriut mund t’i shtohen sanksionet ekonomike.
 
Por, pavarësisht kërcënimeve, lidershipi koreano-verior është shprehur i vendosur për të mos braktisur programet e prodhimit të armëve.